Arrestimi i Fredi Belerit/ Policia deklaratë: Jemi autorizuar nga prokurori i çështjes, u shënuan 54 krime zgjedhore

12/05/2023 18:37

Në fazën finale të procesit zgjedhor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka dhënë një konferencë për mediat, ku ka përmbledhur evidentimet e krimeve zgjedhore dhe ka garantuar një proces të qetë votimi në zbatim të të gjitha detyrimeve ligjore. 

Rrumbullaku u shpreh se gjatë fushatës elektorale, janë shënuar në total 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, për të cilat janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas.

Ai tha se Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhur, si dhe për mbajtjen në kontroll të plotë të të gjithë territorit të vendit, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit.

Në lidhje me arrestimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Fredi Belerit, ai tha se çdo procedurë është kryer në përputhje të plotë me ligjin dhe me autorizimin e prokurorit të çështjes.

Konferenca e plotë:

Përshëndetje,

Procesi zgjedhor është i rëndësishëm për qytetarët dhe për vendin dhe si rrjedhojë, Policia e Shtetit është e angazhuar plotësisht për zbatimin e detyrimeve ligjore për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për Policinë e Shtetit”, Kodi Zgjedhor, vendimet dhe udhëzimet e nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash te cilat synojnë garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë procesit elektoral, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore.

Në kuadër të masave të ndërmarra gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 5081 punonjës policie, për mbarëvajtjen e 1471 aktiviteteve elektorale, dhe në asnjë aktivitet elektoral, të zhvilluar në ambiente të hapura dhe të mbyllura, nuk është evidentuar asnjë incident që cenon procesin.

(Masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë prezantuar në mënyrë të detajuar, gjatë paradites së sotme, në konferencën për median, nga Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Policinë e Shtetit.)

Në zbatim të Kodit Penal, në bashkëpunim të ngushtë me organet proceduese të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm, Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme hetimore për evidentimin dhe dokumentimin ligjor të çdo veprimtarie të paligjshme në fushën e krimeve zgjedhore, të përcaktuara nga nenet 325-330 të Kodit Penal.

Në këtë kuadër, gjatë periudhës zgjedhore, strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë vlerësuar dhe analizuar çdo informacion, indicie, kallëzim apo deklarim të çdo qytetari, përfaqësuesi të subjekteve zgjedhore apo kandidati, me qëllim sqarimin e rrethanave, sigurimin e provave dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Nga të dhënat statistikore rezulton se:

Nga data 14.04.2023 deri më 12.05.2023, janë evidentuar gjithsej 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, për të cilat janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas.

Të ndara sipas veprave penale:

1-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë;

2-Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor;

3-Korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë;

4-Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë;

5-Pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë;

6-Shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë.

Për veprat penale të sipërcituara, grupet e posaçme hetimore kanë vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe me autorizimet e organeve proceduese, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.

Tashmë kemi mbërritur në fazën finale të këtij procesi, dhe detyrat dhe angazhimi i Policisë së Shtetit janë më të shtuara, me qëllim që të garantohet rendi dhe siguria publike, si dhe që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar.

Në përfundim, apeloj që qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar, apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.

Njëkohësisht, apeloj për të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit.

Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhur, si dhe për mbajtjen në kontroll të plotë të të gjithë territorit të vendit, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit.

Arrestimi i Fredi Belerit:

Ju siguroj të gjitha veprimet e policisë janë të autorizuara nga prokurori në kushtet autorizuara dhe kur ka vepra të tilla policia është detyruar të ndërhyjë. Jo vetëm në këtë rast por edhe më parë garanton një tjetër proces zgjedhor, garantojmë një fushatë absolutisht të qetë, ku policia ka qenë prezente. Unë kërkoj respektim të ligjit dhe normave nga gjithsecili, dhe respektimit të heshtjes zgjedhore të ditës së nesërme por edhe të së dielës ku do të garantohet votim i qetë në të gjithë territorin e vendit.

Top Channel