Ky një maj e gjeti Manastirin e Zvërnecit të mbushur me vizitorë, shumë prej të cilëve të huaj.

Turistët u shprehën të mahnitur me bukuritë e kësaj zone.

“Jam nga Holanda dhe kemi tri ditë në Shqipëri, një vend shumë i bukur dhe Manastiri një vend tërheqës, sot kishte shumë njerëz, dhe nuk kishim shumë informacion për këtë vend të veçantë. Mungonte ciceroni”, u shpreh një turiste.

“Jam nga Kroacia. Kemi vizituar Tiranën deri sot dhe sot pikërisht ndodhemi në manastirin e Zvërnecit dhe guida na sugjeroi këtë vend të bukur dhe tërheqës”, tha një tjetër turiste.

“Jam nga Holanda dhe është dita e tretë, vend i bukur, njerëz mikpritës, ushqimi shumë i mirë dhe do të kemi shumë dëshirë të njohim jugun e Shqipërisë”.

Ndërkohë, të shumtë ishin dhe vizitorët vendas që zgjodhën ta kalonin 1 majin në këtë atraksion turistik të Vlorës.

“Vijmë për herë të parë. Na pëlqen ambienti, gjelbërimi. Erdhëm ta vizitojmë meqë jemi pushim“, u shpreh një nga vizitoret.

Manastiri i Zvërnecit në Vlorë vijon të mbetet  një nga pikat turistike që çdo ditë e më tepër vizitohet nga pushues vendas dhe të huaj. Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit.

Top Channel