Atletico triumfon me goleadë në transfertën ndaj Valladolid

30/04/2023 23:09

Atletico Madrid rikthehet te fitorja në La Liga pas disfatës me Barcelonën. “Los Colchoneros” triumfuan në transfertë përballë Valladolid me rezultatin 2-5.

Molina hapi siparin e golave në minutën e 20. Mbrojtësi realizoi i vetëm përballë portierit pas asistimit përfekt të Gimenez. Pas katër minutash ky i fundit realizoi të dytin për skudrën e Diego Simeones pas krosimit të Griezman.

Sërish francezi ishte vendimtar në minuten e 38-të, këtë herë me pasimin perfekt për Moratën i cili realizoi të tretin për Atletico Madrid.

Valladolid u mundua të reagonte dhe shkurtoi diferencën pa u mbyllur pjesa e parë.

Mario Hermoso shkaktoi penallti dhe sulmuesi Larin u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metrave.

Në fraksionin e dytë të zotët e shtëpisë dominuan takimin dhe rihapën ndeshjen në minutën e 74 me Escudero, i cili realizoi më kokë nga brenda zonës. Barazimi ishte shumë pranë vetëm pas dy minutash me Sergio Leon i cili u ndal nga tranversa.

Valladolid edhe pse u munda të gjente sërisht rrugën e rrjetës nuk ia doli mbanë, ndërsa nga ana tjetër skuadra e Diego Simeones vulosi ndeshjen pas autogolit të shkaktuar nga Fernandez.

Në fund festoi edhe Memphis Depay i cili u rikthye nga dëmtimi me gol.

Falë këtij triumfi Atletico Madrid shkon në kuotën e 66 pikëve në vendin e tretë, ndërsa Valladolid zbret në vendin e 15-të me 35 pikë./ Super Sport

Top Channel