Interi përgatitet për derbin me Milanin mes mungesave të shumta, Chivu ka dilema në formacion
Kombëtarja e Kosovës U15 e ka përmbyllur pjesëmarrjen në FIFA U15 World Cup&Festival, që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit, me një fitore bindëse 6-1 ndaj Burundit.
Ndeshjen e fundit të turneut e ndoqi nga afër edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Dardanët e rinj, të drejtuar nga përzgjedhësi Ilir Nallbani, e mbyllën kështu këtë përvojë ndërkombëtare me një tjetër rezultat pozitiv, pas një rrugëtimi të gjatë dhe me shumë sfida në festivalin e organizuar për herë të parë nga FIFA.
Më herët, Kosova ishte ndalur në çerekfinalen e nivelit D, ku u eliminua nga Republika Dominikane pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt e ndeshjes kishte përfunduar në barazim 1-1, ndërsa kundërshtari triumfoi 3-2 nga pika e bardhë.
Gjatë këtij turneu, përfaqësuesja kosovare regjistroi fitore ndaj Tahitit, Sierra Leones, Afrikës së Jugut, Maldiveve, Anguilës dhe Burundit, ndërsa pësoi humbje nga Estonia, Franca, Republika Dominikane dhe Lituania.
Përtej rezultateve, pjesëmarrja në këtë festival ishte një mundësi e rëndësishme për futbollistët e rinj kosovarë, të cilët patën rastin të masin forcat me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të botës dhe të fitojnë përvojë të vlefshme ndërkombëtare.
Përzgjedhësi Ilir Nallbani është shprehur i kënaqur me angazhimin, disiplinën dhe karakterin e treguar nga futbollistët gjatë 12 ditëve të qëndrimit në Baku.
“Ka qenë vërtet një eksperiencë shumë e mirë, si për trajnerët dhe stafin, ashtu edhe për të gjithë futbollistët e përzgjedhur për këtë udhëtim. Jam shumë i kënaqur, para së gjithash, me angazhimin dhe disiplinën që kanë treguar gjatë 12 ditëve sa kemi qëndruar këtu. Në të gjitha ndeshjet, djemtë kanë treguar karakter dhe një qasje shumë pozitive”, ka theksuar Nallbani.
Ai ka veçuar edhe ngarkesën fizike si një prej vështirësive kryesore të turneut, për shkak të kalendarit të ngjeshur dhe ndeshjeve që zhvilloheshin si në orët e mëngjesit, ashtu edhe pasdite.
“Ka qenë një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe për të gjitha ekipet, pasi kemi pasur ndeshje edhe në mëngjes, edhe pasdite. Kjo ka ndikuar shumë edhe te ne. Megjithatë, djemtë, falë motivimit dhe dëshirës që kanë pasur, kanë arritur ta përballojnë edhe lodhjen dhe të japin maksimumin në fushë”, ka deklaruar ai.
Duke folur për paraqitjet e Kosovës dhe eliminimin në çerekfinale, Nallbani vlerësoi se skuadra kishte potencial për të shkuar edhe më larg në këtë garë.
“Ndeshjet kanë qenë të vështira dhe edhe shortin e kemi pasur të vështirë që nga fillimi. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira dhe arritur fitore. Edhe në ndeshjen ndaj Republikës Dominikane luajtëm mirë, por në penallti nuk patëm fat. Kështu e ka futbolli. Po ta kishim kaluar atë sfidë, besoj se do të kishim arritur deri në finale të këtij grupi”, u shpreh përzgjedhësi i Kosovës U15.
Në përfundim, trajneri shprehu kënaqësinë për paraqitjen e futbollistëve dhe u shpreh me shpresën që kjo përvojë të shërbejë si motivim për të vazhduar punën dhe për t’u zhvilluar më tej, me synimin që në të ardhmen të jenë pjesë e ekipeve të tjera kombëtare të Kosovës.
“Jam shumë i kënaqur me djemtë. Kanë treguar karakter të jashtëzakonshëm dhe jam vërtet i lumtur për këtë. Shpresoj që pas kthimit në Kosovë të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim dhe punë, në mënyrë që në të ardhmen t’i shërbejnë vazhdimisht Kombëtares dhe të jenë pjesë e zinxhirit të ekipeve tona kombëtare”, ka përfunduar Ilir Nallbani.
Top Channel