Disa ditë më parë, Fiks Fare denoncoi një zyrë e cila u merrte qytetarëve të ndryshëm deri në 2600 paund për t’i dërguar në Mbretërinë e Bashkuar, Angli.

Kjo zyrë përpilonte kontrata me një firmë angleze. Në datën 17 prill, redaksia e emisionit investigativ denoncoi zyrën “B&M” Group, e cila merrte qytetarëve para’ për kontratë me një firmë angleze. “Dua të denoncoj një zyrë e cila na ka marrë nga 200 paund, sikur është përfaqësuese e një firme në Angli.

Komunikova me firmën mëmë në Angli dhe na deklaroi, edhe me shkrim, se s’kemi asnjë bashkëpunim. Po marrin në qafë shumë persona” ishin disa nga denoncimet. Gazetarët e Fiksit shkuan te zyra, në qendër të Tiranës, të cilët deklaruan se lidhnin akt-marrëveshje pagesa bëhej kesh në atë zyrë.

Fiksi pyeti në Konsullatë, ku punonjësit deklaruan se “s’kemi asnjë bashkëpunim me asnjë zyrë”. Gazetarët iu drejtuan firmës angleze “B&M”, e cila tha se “nuk kemi bashkëpunime”.

Pas transmetimit të këtij investigimi, gazetarët shkuan te zyra në qendër të Tiranës, për të ballafaquar denoncimet dhe pretendimet e kësaj zyre. Qytetarë të ndryshëm i vunë në dispozicion emisionit investigativ disa akt-marrëveshje me “B&M”, me seli në Tiranë, e regjistruar pranë QKB-së, e cila ka dhe numër nipti e përfaqësuar nga z. Haqif Hetemi.

Më pas janë edhe të dhënat e aplikantit, teksa objekti i marrëveshjes është që kjo zyrë angazhohet për shërbim ndërmjetësimi për punësime në “B&M” në qytetin Londër, Liverpul dhe Manchester në fushën e ndërtimit, shofer kamioni, elektriçist, ekskavatorist, bojaxhi, shtrim parketi si dhe çdo pozicion tjetër që përfshin kjo fushë. Madje, edhe në fushën e hotelerisë si dhe kujdestarë.

Në vijim, në kontratë deklarohet se “aplikani duhet të paguajë në dy pjesë pranë zyrës tarifën prej 2600 paund siç parashikohet në këtë marrëveshje, fillimisht 200 paund e më pas pjesën tjetër e mbetur prej 2400 paund, pasi të pajiset me vizë pune dhe të jetë punësuar”.

Kontrata nuk bëhet te ndonjë zyrë noteriale, por te vetë zyra. Në një dokument tjetër, qytetarët paguajnë shumat prej 200 paundësh në dorë, në arkë. Madje, marrin vetëm një mandate pagese.

Fiksi shfletoi në QKB për këtë firmë, ku rezulton se emri i subjektit është “Haqif Hetemi”, data e regjistrimit më 24 gusht 2022. Fusha e veprimtarisë është “aktivitete të shërbimeve të zyrave”, ka edhe një adresë në Njësinë Bashkiake nr.7.

Të dhëna të tjera që njoftohen janë emri tregtar “B&M”, ndërsa ka një adresë e-maili dhe një numër telefoni 0696142… Gazetarët telefonuan këtë numër, por rezultoi se kishte bllokuar thirrjet hyrëse. Ndërkohë, dera e kësaj zyre, ishte e mbyllur. Disa punonjës të një kompanie tjetër deklaruan se “prej disa ditësh ajo derë qendron e mbyllur dhe s’ka ardhur asnjë person apo punonjës”.

Por, disa ditë pas transmetimit, zyra bën një njoftim në rrjetin social “Instagram”, ku shkruan se: “Zyra transferohet te Kodra e Diellit në Tiranë. Takimet do të jenë vetëm më rezervim dhe në prani do të jetë dhe administrator i kompanisë”.

Ka një numër telefoni, 0696624… “Këtu mund të kontaktoni për të lënë takim! Secili aplikand do të kontaktohet vetë për procedurat e mëtejshme të vizës!” thuhej në njoftim. Gazetarët telefonuan sërish këtë numër dhe sërish kishte bllokuar thirrjet hyrëse.

Ndërkohë, pas këtyre veprimeve të kësaj zyre e cila po tenton të shmangë Fiksin, por edhe qytetarët, në redaksinë tonë kanë mbërritur të tjera denoncime. Disa persona deklaruan të njëjtën skemë. Në redaksinë e Fiksit dërguan kontratat dhe faturat e pagesës, gjithmonë në dorë dhe jo në bankë. Akt-marrëveshja me firmën, mandate pagesat dhe një dokument “ligj i zbatueshëm”.

Asnjëra prej tyre nuk ishte në formë ligjore, pasi janë bërë jashtë zyrave noteriale. Qytetarët deklarojnë se kanë paguar nga 200 paund, 2400 iu kanë thënë se do ti paguanin kur të shkonin në Londër, Liverpul dhe Mançester. Pohojnë se kanë paguar deri në 800 paund, për të gjithë pjesëtarët dhe askush s’ka marrë përgjigje.

Pavarësisht këtyre denoncimeve dhe mbylljes së zyrës, faqja e B&M Group në rrjetin social “Instagram”, iu është përgjigjur disa qytetarëve. Ata deklarojnë se zyra është mbyllur përkohësisht dhe do të rihapet pas disa ditësh. Madje, iu thonë qytetarëve që mund të paraqiteni!

Gazetarët e Fiksit verifikuan disa adresa, atë në QKB, pallati numër 30 në rrugën Muhamet Gjollesha. Banorët e zonës deklaruan se nuk ka asnjë pallat. Fiksi verifikoi edhe adresën e re, te Kodra e Diellit, që publikuan në “Instagram”. “Këtu brenda në rezidencë jo!” deklaroi roja. Në pamundësi të adresës fizike, gazetarët i dërguan një kërkesë për informacion kësaj zyre, në adresën në rrjetin social “Instagram”. Deri më sot, zyra nuk na ka kthyer asnjë përgjigje!

FOTO GALERI
6/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA