Në një kohë kur na ndajnë vetëm dy muaj nga koha kur zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi është ndalur në Vlorë për një bashkëbisedim me maturantët, ku diskutoi rreth risive që sjell kjo maturë, si dhe dëgjoi opinione dhe sugjerime nga nxënësit dhe mësuesit e tyre.
Ministrja, ndër të tjera nënvizoi se çdo risi dhe çdo vendim i marrë rreth maturës për këtë vit, është në të mirën e maturantëve, pasi të gjitha risitë që sjell ky vit, rivlerësimi i testit, zhvillimi i provimeve në salla të mëdha, provimi i digjitalizuar për ata që duan të studiojnë për Mjekësi të Përgjithshme, të gjitha janë në funksion të meritokracisë, transparencës dhe të një procesi sa më të drejtë të provimeve të Maturës Shtetërore.
“Unë ju garantoj vetëm për këtë, që çdo vendim është marrë për të mirën tuaj. Jeni ju, ose më saktë, brezat përpara jush që e kërkonin rivlerësimin e testit. Pavarësisht se gabimet kanë qenë shumë të rralla në procesin e vlerësimit, gjykuam që kjo është një e drejtë që ju duhet ta keni”, u shpreh ministrja.
Kushi u kërkoi maturantëve që të vlerësojnë mundësinë e studimit në Shqipëri, sidomos në një prej programeve të shpallura ‘prioritet kombëtar’, në mënyrë që të përfitojnë bursë mujore sa paga minimale, duke lehtësuar kështu edhe barrën financiare të familjeve të tyre gjatë studimeve.
“Përpara se të merrni vendimin për programin e studimit, apo për universitetin ku do të studioni, duhet të dini që ne kemi një numër programesh që i kemi shpallur programe ‘prioritet kombëtar’. Janë programe të mësuesisë, të bujqësisë, të turizmit, të shërbimeve, të disa inxhinierive. Të gjithë studentët që studiojnë në këto programe janë të përjashtuar nga pagesat e tarifës së studimit, por dhe do të përfitojnë çdo muaj një bursë sa paga minimale, 400 mijë lekë të vjetra në muaj”, u shpreh znj. Kushi.
Duke folur për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare, ministrja tha se programet e përbashkëta të studimit midis universiteteve shqiptare dhe universiteteve më të mira evropiane, mundësojnë që diploma që do të kenë në duar të rinjtë, do të ketë vlerë më shumë në të gjithë tregun e punës në Bashkimin Evropian.
Top Channel