Premtimi publik i Edi Ramës në prag të zgjedhjeve lokale, se do të rrisë pagat dhe pensionet trazoi ujërat dhe ngjalli polemika nëse ky zotim i Kryeministrit bie ndesh me Kodin Zgjedhor.
Komisioneri Celibashi e konsideron të rregullt synimin e qeverisë për sa kohë ligji zgjedhor nuk e ndalon një gjë të tillë për zgjedhjet vendore por vetëm për ato politike.
“Nuk kemi vendimmarrje, por deklarime dhe ne nuk vlerësojmë deklarimet. Nëse është një gjë e parashikuar në ligj duhet respektuar. Ka përcaktim të qartë Kodi Zgjedhor, ndalimi ekziston për akte të qeverisë për rastin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, periudhe para krijimit të qeverise se re”, tha Celibashi.
Krahas denoncimeve për përdorimi e burimeve shtetërore dhe fondeve publike për fushatë zgjedhore, në Komisonin Qëndror të Zgjedhjeve ka mbërritur edhe ankesa e demokratëve që ka në zotërim logon zyrtare te partisë për përdorimin e simboleve të tyre nga Partia e Lirisë.
“Nëse verifikohet një rast i tillë subjekti që nuk ka të drejtë të përdorë logon dhe inicialet e një partie tjetër nuk ka të drejtë ti përdorë dhe do ti ndalohet”, u shpreh Celibashi.
As komisoneri nuk ishte gati të jepte një numër të saktë të kandidatëve që do paraqiten në fletën e votimit me siglën e PD-së zyrtare, ndërsa njoftoi se po pret të dhënat nga KZAZ.
Top Channel