Qeveria zvicerane në gjyq/ Paditësit: Të drejtat e njeriut lidhen me ndryshimet klimatike

29/03/2023 09:30

Më shumë se 2000 gra po e çojnë qeverinë zvicerane në gjykatë duke pretenduar se politika e saj për ndryshimin e klimës po shkel të drejtën e tyre për jetë dhe shëndet.

Kjo është hera e parë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut do të dëgjojë një çështje mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në të drejtat e njeriut. Ky rast pason gjashtë vite betejash të pasuksesshme nëpër gjykatat zvicerane.

Temperaturat në Zvicër po rriten më shpejt se mesatarja globale dhe valët e të nxehtit janë gjithnjë e më të shpeshta.

Gratë zvicerane – të cilat e quajnë veten “Klubi i të moshuarve të klimës” dhe kanë një moshë mesatare 73 vjeç – thonë se ndryshimi i klimës po rrezikon të drejtat e tyre njerëzore, shëndetin dhe madje edhe jetën e tyre. Provat e tyre në gjykatë përfshijnë të dhënat e tyre mjekësore. Ata duan që Gjykata të urdhërojë Zvicrën të punojë më shumë në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.

“Kjo është një ngjarje historike,” tha Anne Mahrer, 64 vjeç, një anëtare e klubit, për agjencinë e lajmeve AFP. “Ndryshimet klimatike prekin të moshuarit në mënyrë disproporcionale për shkak të rreziqeve kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes,” tha ajo.

Observatori Evropian i Klimës dhe Shëndetit thotë se rritjet e parashikuara të temperaturës mesatare ka të ngjarë të kenë “ndikime serioze në shëndetin publik” në të gjithë Evropën, veçanërisht tek të moshuarit. Në 20 vitet e fundit, vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë tek njerëzit më të vjetër se 65 vjeç në Evropë është rritur me më shumë se 30%, thotë ai.

Qeveria zvicerane nuk e mohon se ndryshimi i klimës mund të ndikojë në shëndetin – por thotë se nuk mund të lidhet në mënyrë specifike me shëndetin e grave të moshuara.

Nëse gratë janë të suksesshme, çështja mund të përbëjë një precedent për secilin nga 46 shtetet anëtare të Gjykatës Evropiane.

Temperaturat botërore po rriten për shkak të aktivitetit njerëzor dhe ndryshimi i klimës kërcënon tani çdo aspekt të jetës njerëzore .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA