Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e sotme në Kavajë, atje ku dy 43-vjeçarë, Sali Rexha dhe Edmond Gosës, vranë njëri-tjetrin.
Në lidhje me këtë ngjarje kanë reaguar edhe fqinjët, të cilët shprehen se ata kanë pasur një konflikt të mëparshëm banal dhe nuk e kanë mbyllur.
Njëri prej banorëve tha për kamerat e Top Channel se asnjëri prej tyre nuk ka qenë problematikë, ndërsa rezulton se Edmond Gosa është dënuar për plagosje të rëndë.
“I njihnim sepse ishin nga Kavaja, të dy djemtë. Kur kishin punë shkonin e punonin. Nuk merreshin me gjërat e këqija, kjo nuk është e vërtet. Kanë pasur një konflikt, diku më përpara dhe ngjarja rrodhi deri këtu. Konflikti i djemve të rinj, si gjithmonë. I ngushëllojmë familjet se janë djem të rinj. Nuk kanë qenë problematikë”, deklaroi një fqinj.
Banori tjetër, i cili tregoi se si ka ndodhur vrasja, u shpreh se pas debatit ka nisur përdorimi i armëve.
“Kanë bërë debat aty. Janë zënë atje. Ka ngrënë tre plumba, më pas i ka ngulur 20 thika atij. Aq i fuqishëm. Ka ikur i qetë, dhe ka ndenjur 10 minuta më poshtë. Vetëm kur e pashë që u shtri. Janë grindur më kot. Nuk kanë asnjë problem, nuk janë marrë as edhe me ndonjë gjë. Sherr koti kanë pasur njëherë dhe nuk e kanë mbyllur. Njëri prej tyre ishte me fëmijën në dorë dhe po bisedonin. I pamë duke biseduar edhe me fëmijën përdore, më pas dëgjova krismën. Dëgjova të shtënat, katër plumba. Kavajsi e mbyti atë me thikë, ati tjetri me pistoletë. E kishte me vete, sepse kishte bërë debat”, u shpreh një fqinj tjetër.
Si ndodhi ngjarja:
Një ngjarje e rëndë kriminale ku humbën jetën dy persona ndodhi pasditen e së mërkurës në qytetin e Kavajës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Sallbeg 2, tek kryqëzimi i valutës. Dy shtetas janë konfliktuar në rrugë, fare pranë banesës së Altin Rexhës i njohur dhe me emrin Sali Rexha. Mes tij dhe Edmond Gosës ka pasur një konflikt të mëparshëm që është acaruar 3 ditë më parë.
Shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, edhe ky përdorte një tjetër emër, Armand, ka plagosur me thikë Altin Rexhën, 43 vjeç.
Në çastin e konfliktit Rexha ka qenë me djalin e tij. Pas goditjes me thikë, ai ka qëlluar me armë zjarri Gosën.
Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital. Rexha nga Kukësi jetonte me qira në Kavajë bashkë me familjen e tij.
Edmond Gosa, person shumë problematik në qytet. I dënuar më parë për plagosjen e rëndë të Gent Gjuzit me kazëm, i cili vdiq më pas në spital.
Top Channel