Turneu i tenisit në Shkodër/ Mbi 60 sportistë të rinj nga e gjithë Europa marrin pjesë

28/03/2023 15:38

60 sportistë të rinj, nga e gjithë Europa po marrin pjesë në turneun ndërkombëtar të tenisit që po zhvillohet në Shkodër. Janë grupmoshat U12 që përfaqësojnë federatat kryesore të tenisit të cilët për 4 ditë me rradhë do të përballen me njëri – tjetrin.

Tenistët e vegjël, do garojnë për pozicione me të larta në renditjen europiane. Teksa një pjesë, sfidohen në fushë, të tjerët shfrytëzojnë pushimin pas ndeshjeve për detyrat e shkollës.

“Jam shumë mirë këtu. Unë quhem Temirlan, jam 10 vjeç dhe vij nga Kazakistani. Njerëzit janë shumë miqësor dhe aktiviteti po shkon shumë mirë”, tha Temirlan Zhantemirov.

“Ndeshja e parë ishte vërtetë emocionuese. Ishte e vështirë por fitova pavarësisht erës së fortë. Besoj se edhe ndeshja e dytë nuk do të jetë e lehtë por dua të fitoj. Dua të fitoj edhe turneun e parë personal në rang europian”, tha Naz Dedeoglu, një tjetër tenist.

Sportistët janë shoqëruar edhe nga prindërit dhe trajnerët e federatave përkatëse prandaj, ky turne është konceptuar edhe si një promovim i Shkodrës turistike.

“Po luan djali im dhe ndeshjen e parë e fitoi. Kjo është hera e parë që vijmë në Shkodër. Normalisht duam që të fitojmë këtë turne por deri tani jemi të kënaqur”, tha babi i njërit prej tenistëve.

“Shqipëria dhe Shkodra, janë shumë të bukura. Është hera e parë që vijmë këtu dhe na pëlqen shumë vendi dhe sidomos njerëzit të cilët janë shumë miqësor. Aktiviteti po shkon shumë mirë deri tani”, u shpreh një vajzë.

Pjesë e turneut janë dhe tenistë nga Shqipëria, Kosova dhe shqiptarë të Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Top Channel