Sot ndeshja Poloni – Shqipëri/ Trajneri mban sekret gjithçka, asgjë e sigurt për formacionin dhe kapitenin

27/03/2023 12:58

Kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme për të startuar aventurën e sajë në eliminatoret e kampionatit europian Gjermani 2024 përball Polonisë.

Tekniku brazilian u mundua të shuajë dilemat në lidhje me 11-shen që do të hedhë në fushë megjithëse ka mbajtur shumë gjëra ë rezervuara, madje edhe në seancën stërvitore të parën dhe të fundit në Varshavë mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar vetëm ushtrime fizike pa provuar asgjë tekniko-taktike.

Por ajo që është e sigurt është ndryshimi i skemës. Shqipëria do të rikthehet të aplikojë skemën 4-3-3. Kështu në portë nga minuta e parë do ta nisë Thomas Strakosha, i cili ka lënë pas problemet muskulore dhe ka fituar vendin e titullarit. Në qendër të mbrojtjes do të pozicionohen Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj. Ndërsa nga krahët do të luajnë Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu. Në qendër të mesfushës si titullar do të pozicionohet Ylber Ramadani. Përkrah tij mendohet të jetë Kristjan Asllani dhe Qazim Laçi pasi Abarahsi ka pasur një gjendje gripale dhe është në dyshim aktivizimi që ngaminuta e parë. Në sulm konfirmohet i përhershmi Sokol Cikalleshi. Kavajasi do të mbështetet nga krahët nga Jasir Asani dhe Myrto Uzuni.

Kaq është lënë të kuptohet nga testet një javore që trajneri Sylvinho ka zhvilluar me lojtarët dhe kryesisht me ndeshjet e fundit të kontrollit. Megjithatë trajneri ka ende paqartësitë e veta me gjasë dhe nisur nga fakti që bëhet fjalë për ndeshjen e parë të grupit, me kundërshtarin më të fortë në një moment ku ekipi ynë nuk është i plotë.Braziliani ende nuk ka vendosur se cili do të jetë kapiteni i kësaj ndeshjeje dhe këtyre eliminatoreve duke e kthyer në një quiz atë shirit i cili besohet se do të jetë mes treshes me më shumë eksperiencë si Cikalleshi, Hysaj dhe Strakosha.

Ndeshja Poloni-Shqipëri do të startojë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel