SHBA-të kanë ndërmarrë një kundërsulm ajror në Siri kundër objekteve të lidhura me Iranin, pasi këta të fundit goditën me dron ditën e djeshme një objekt që strehonte personelin amerikan në vend, duke vrarë një kontraktor amerikan dhe plagosur 5 anëtarë të shërbimit amerikan.
Lajmi u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së, i cili theksoi se kontraktuesi ishte shtetas amerikan. Po ashtu, mes të plagosurve në sulm është edhe një tjetër kontraktor amerikan. Një zyrtar i njohur me këtë çështje i tha CNN se pjesëtarët e shërbimit të plagosur janë të gjithë në gjendje stabile.
“Komuniteti i inteligjencës vlerëson se UAV-ja (aeroplani pa pilot) është me origjinë iraniane”, tha Pentagoni.
Në përgjigje të sulmit, presidenti Joe Biden autorizoi një sulm ajror preciz “në Sirinë lindore kundër objekteve të përdorura nga grupet e lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC)”- tha në deklaratë Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
SHBA-të, sipas Pentagonit, “ndërmorën veprime proporcionale dhe të qëllimshme që synojnë të kufizojnë rrezikun e përshkallëzimit dhe të minimizojnë viktimat”.
“Siç e ka bërë të qartë Presidenti Biden, ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur popullin tonë dhe do të përgjigjemi gjithmonë në një kohë dhe vend që zgjedhim”, tha Austin. “Asnjë grup nuk do të godasë trupat tona pa u ndëshkuar.”
Situata vazhdoi të përshkallëzohej të premten në mëngjes, kur 10 raketa shënjestruan Green Village, një bazë amerikane në verilindje të Sirisë. Nuk ka pasur të lënduar në personelin e SHBA-së apo të koalicionit dhe nuk ka dëme në objekte, thuhej më tej në deklaratën e Pentagonit.
Green Village është vendi ku janë vendosur disa nga 900 trupat amerikane në Siri. Sulmet ka të ngjarë të rrisin tensionet me Iranin, me të cilin grupet përfaqësuese janë në linjë, megjithëse Teherani nuk është gjithmonë i përfshirë në drejtimin e sulmeve që ata kryejnë.
SHBA-të kanë sanksionuar tashmë Teheranin për ofrimin e dronëve sulmues për Rusinë për t’i përdorur në luftën në Ukrainë. Sakaq të enjten, Kryetari i Shefit të Shtabit të Përbashkët Gjeneral Mark Milley përsëriti shqetësimet e SHBA-së se Irani ka potencialin të prodhojë mjaftueshëm material të zbërthyeshëm për një armë bërthamore në më pak se dy javë dhe ta prodhojë një brenda muajve.
Droni u përplas qëllimisht në objektivin e tij, tha zyrtari. Infrastruktura që u vu në shënjestër në përgjigjen e SHBA-së nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me vetë dronin e dyshuar iranian, tha zyrtari, por në vend të kësaj ishte në shënjestër nga SHBA sepse dihej se po mbështeste grupet iraniane “proxy” në vend me municione dhe inteligjencë.
Numri i viktimave nga sulmi ajror amerikan është ende duke u përcaktuar, tha zyrtari. Një grup me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që monitoron luftën në Siri, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut pretendoi se 8 luftëtarë të lidhur me Iranin u vranë në sulmet ajrore. Sidoqoftë, ky pretendim nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Qeveritë siriane dhe iraniane nuk kanë komentuar publikisht ngjarjen, por televizioni shtetëror iranian Press TV, duke cituar një burim ushtarak në Siri, raporton se “grupet e rezistencës rezervojnë të drejtën t’i përgjigjen sulmit amerikan dhe do të ndërmarrin veprime reciproke”.
Irani është një aleat i rëndësishëm i presidentit sirian Bashar Al Assad. Së bashku me Hezbollahun dhe grupe të tjera të armatosura të mbështetura nga Irani, Teherani ka ndihmuar për të mbështetur presidentin e luftuar.
Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA, gjenerali Erik Kurilla, tha se SHBA mund të kryejë sulme shtesë nëse pala iraniane do të vijonte më tej sulmet. “Ne jemi të vendosur për opsione të shkallëzueshme përballë çdo sulmi shtesë iranian,” tha Kurilla në një deklaratë të enjten në mbrëmje.
Sipas Kurillas, përfaqësuesit iranianë kishin kryer sulme me dronë ose sulme me raketa kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme 78 herë që nga fillimi i vitit 2021, mesatarisht gati një sulm çdo 10 ditë.
“Ajo që bën Irani për të fshehur dorën e tij është se ata përdorin përfaqësues iranianë,” tha Kurilla në një seancë dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës më herët gjatë ditës. “Këto janë ose UAV ose raketa për të qenë në gjendje të sulmojnë forcat tona në Irak ose Siri.”
I pyetur nëse sulme të tilla konsideroheshin një akt lufte, Kurilla tha: “Ato po bëhen nga përfaqësuesit iranianë është ajo që unë do t’ju thoja”.
Top Channel