I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, do të zhvillojë takime me liderët shtetërorë të vendit.

Ai do të pritet në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, dhe më pas nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Këto takime mes emisarit amerikan dhe udhëheqësve institucionalë të Kosovës vijnë një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.

Escobar, do të jetë i pranishëm në takimin e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit. Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Prishtinë vjen pasi ai qëndroi dy ditë në Beograd të Serbisë. Atje, ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Gjatë konferencës për media në Beograd më 16 mars, Escobar tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është më afër sesa ishte një muaj më parë.

“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan po ashtu tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 14 mars se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.

“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, një ditë më parë tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në propozimin evropian për normalizim, të pranuar nga Kosova dhe Serbia, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA