Presidenti kinez Xi Jinping çimentoi pushtetin e tij me sigurimin e mandatit të tretë 5 vjeçar historik në krye të vendit.

Drita jeshile e emërimit, iu dha Xi-së në ceremoninë e Kongresit Kombëtar Popullor; në fakt, kjo nuk ishte aspak diçka e papritur pasi lideri kinez  (NPC) prej kohësh i ka nxjerrë jashtë loje rivalët e mundshëm politikë dhe i ka mbushur radhët e larta të Partisë Komuniste që udhëheq vendin me mbështetësit e tij, që nga marrja e pushtetit në vitin 2012. Zhvillimi i fundit e bën 69 vjeçarin udhëheqësin më dominues të Kinës për gjenerata të tëra…

Vota për Xi në Kongresin Kombëtar Popullor ishte unanim, me 2,952 pro dhe asnjë kundër. Anëtarët e këtij Kongresi emërohen nga partia në pushtet. Pushteti i tij buron nga fakti që është sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.

Në pozicionin e parë, ai emëroi veten tetorin e vitit të kaluar, duke thyer traditën sipas të cilës, udhëheqësit kinezë e dorëzojnë pushtetin një herë në dekadë. Kufiri i vendosur për dy mandate për presidencën e Kinës u fshi nga Kushtetuta kineze më herët, duke nxitur sugjerime se ai mund të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.

Xi fuqizon kështu sundimin e tij në kohën kur Kina ka nisur gradualisht rihapjen pas politikave të egra kundër pandemisë së Covid që nxitën protesta anti-qeveritare, një rënie drastike të nivelit të lindjeve që kërcënon motorin e rritjes ekonomike të vendit, si dhe në ashpërsim të tensioneve mes Kinës e Washingtonit, të cilat mbërritën kulmin pas akuzave se Pekini kishte dërguar balona spiune në SHBA.

Top Channel