Dy aksidentet në pak orë/ Betonierja vret çiklistin në Durrës, një 30-vjeçare humbi jetën në Kavajë pasi automjeti i doli nga kontrolli

10/03/2023 15:07

Pas aksidentit tragjik në Tiranë ku humbën jetën tre të rinj, janë përgjakur sërish rrugët në vend.

Dy persona të tjerë humbën jetën në dy aksidente që ndodhën të premten në Durrës e Kavajë. Mesditën e së premtes një betoniere përplasi në një nga rrugët e Durrësit një qytetar, i cili po lëvizte në rrugë me biçikletë.

Aksidenti ndodhi pak metra larg spitalit rajonal, por përplasja ka qenë fatale dhe i aksidentuari humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa policia ndaloi drejtuesin e betonierës, një 58-vjeçar nga Durrësi.

Të mërkurën një 32-vjeçar humbi jetën në Shijak teksa lëvizte me biçikletë. Një tjetër aksident rrugor me pasojë vdekjen u regjistrua në vendin e quajtur Përroi i Rikajt, pranë varrezave në qytetin e Kavajës, ku një 30-vjeçare humbi kontrollin mbi automjetin tip “Volksvagen Golf” që drejtonte dhe përfundoi në kanal.

Vdekjet nga aksidentet vazhdojnë të rriten, ndërsa çdo vit në rrugë humbin jetën dhjetëra persona për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Shumica e shkeljeve ndodhin si pasojë e sjelljes së drejtuesve të automjeteve, por në rritje, sipas ekspertëve rrugorë, janë dhe shkeljet nga ana e këmbësorëve.

Këtë javë policia e Durrësit çoi në pranga 3 drejtues automjetesh dhe pezulloi 20 leje drejtimi, shumica e të cilave për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara dhe drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Top Channel