Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një skandal me legalizimin e një shtëpie banimi në Durrës, ku sekserët kërkojnë nga 4 deri në 6 mijë euro për një procedurë që duhej të bëhej vite më parë.
Nëpërmjet dëshmive, dokumenteve dhe kamerave të fshehta, emisioni investigativ faktoi se këta sekserë, flasin në emër të drejtuesve të Kadastrës së Durrësit, por edhe të Drejtorisë së Përgjithshme, për të “mbaruar punë”. Por, për këto “punë” ata kërkojnë një ryshfet të majmë, pasi në “lojë” janë shumë persona.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Selman Ferati, i cili ka filluar të ndërtojë një shtëpi banimi në zonën e plazhit në Durrës. Ai thotë se katin e parë e ka ndërtuar në vitin 1998, ndërkohë të dytin në vitin 2003. Por, prej kaq vitesh, ai endet në dyert e hipotekës dhe tashmë kadastrës për të marrë dokumentet. “Më kanë nxjerrë lloj-lloj pretendimi. Të gjithë në atë zonë, komshinjtë e mi, kanë hipoteka. Unë jo. Më dolën njëherë faturat, por atëherë s’kisha lekë dhe e shtyva.
Kur mora kredi, më thanë se tani nuk nxjerrim dot fatura të reja” pohon Selmani. Ai disponon dokumentet e të gjitha viteve, kur ka aplikuar, apo edhe përgjigjet që ka marrë. Askush nga Kadastra nuk i ka thënë “s’ke të drejtë”, por ende nuk i ka ardhur radha! Edhe tani, pasi 20 vitesh nga ndërtimi, Drejtoria e Kadastrës së Durrësit i thotë se “po merremi me një procedurë tjetër në Spitallë, s’jemi ende te zona e plazhit”.
Por, këto përgjigje nga Kadastra kanë futur “në lojë” shumë sekserë, të cilët i kanë marrë dhe ende i kërkojnë mijëra euro për legalizimin e asaj banese, ku jeton Selmani bashkë me fëmijët. “Më kërkojnë vazhdimisht para’. Dikur dy punonjës të Kadastrës, tashmë një sekser që punon te Ujësjellësi i Durrësit. Sekseri quhet Lulëzim Çyrbja. Disa kohë më parë më mori 1000 euro për të njëjtën procedurë. Më kërkonte edhe 2 mijë të tjera. Por, kur nuk më mbaroi punë, ia rimora lekët. Lulëzimi më dërgoi te një sekser tjetër, që quhet Shkëlqim Xhaja. Ky më kërkoi 6 mijë euro. Pretendonin se njihnin drejtorët e Kadastrës së Durrësit“, thotë Selmani.
Më tej pohon se sekseri i parë dhe i dytë ia kanë pranuar në disa biseda se i kanë marrë dhe kërkuara para. Madje, në një audio-përgjim që disponon Fiks Fare sekseri Lulzim Çyrbja i thotë se “të mora 1000 euro, po ti ishe i padurueshëm pasi kërkoje dokumentet e pronësisë”. Pra, ka pranuar hapur se i ka marrë një ryshfet.
Ndërkohë, sekseri i dytë i thotë se është i gatshëm ta ndihmojë, por sërish me një ryshfet që do t’ua jepte punonjësve të Kadastrës. “Tani do shihen letrat Selman, tani nuk di të them i bëjnë me gjë apo i bëjnë pa gjë. Do shihen letrat dhe do më thonë ‘Çim, kjo punë bën 5 lekë'” i thotë ai.
Pas këtyre bisedave, Selmai ritakon sekserin e parë, Lulëzim Çyrbjan. Sërish, sekseri i pranon se ka marrë ryshfet 1000 euro dhe do të merrte edhe 2000 të tjera nëse do t’i mbaronte punë. Por, pavarësisht se herën e parë dështuan, Lulëzimi i thotë se “tani kanë ardhur njerëzit e tij sërish në Kadastër dhe do t’i mbarojë punë”. Për herën e dytë ai i kërkon 4 mijë euro, ku 2 mijë duhet ti paguajë në fillim dhe 2 mijë kur të marrin dokumentet. “Ti kanë rifreskuar të tria kartelat ty. Në rregull? Unë s’të kam thënë gjë. Të tria kartelat që ke ti janë të rifreskuara. Vetëm për t’i marrë, vetëm për t’i tërheq. Të pata thënë shko te kjo noterja për t’i marrë, me atë aplikimin” i thotë sekseri, duke pasur dijeni për të gjithë praktikën. Në një takim tjetër ai i thotë se “Ta heq këtë punë, për mua e ke të kryer 100 % kaq”. Madje, i përmend edhe emra punonjësish dhe ish punonjësish të Kadastrës.
“Tani kemi folur me nëndrejtorin e Përgjithshëm të Hipotekës. Është shoku im që është garant, me letrat me të gjitha. Dy (2 mijë euro) do t’i japësh tani, dy do t’i japësh kur të marrësh letrat. Deri në datën 15 prill i ke të kryme, vdekje më tha mua. Ke punë me mu” i premton sekseri. Pas këtyre bisedave, denoncuesi interesohet në Kadastrën e Durrësit, ku punonjësi i thonë se “letrat i ka në rregull, do të ribëhen faturat nga e para dhe do rishikohet nëse është banesë apo biznes”. Por, për momentin kjo zyrë po merret me Spitallën dhe më pas do të merren me zonën e plazhit.
***
Takimi i parë i denoncuesit, Selman Ferati, me sekserin Lulëzim Çyrbja
Denoncuesi – Hajde o Lul Çyrbja hajde.
Sekseri – U vonova dy minuta, ti i bën gjërat me spec djegës. Më dëgjo më vëmendje. Vetëm rifreskimi të shkon 1 milionë lekë. Dhe rifreskimi është konsumimi i pronës tate. 560 metra.
Denoncuesi – E di ça është rifreskimi, rifreskimi është thjeshtë mos me nxjerr faturë atje, bën ajo faturë.
Sekseri – Ajo fatura është e mira e të gjithave. Unë të thashë, ato 3 mijë (euro) që janë, 1 mijë do t’i japësh tani, 2 mijë kur të mbarojnë ato. Dhe po të bëj një nder që t’ia shtrosh drekën atyre nga këtu deri atje te pishinat.
Denoncuesi – Unë sot bëra kërkesën, sot marr 500 mbasdite, 500 i marr nesër. Se nuk i japin direkt 1000 mijë euro këta.
Sekseri – Nesër mos më fëlliq se janë burra të mirë.
Denoncuesi – Jo, jo unë sot të jap 500.
Sekseri – Unë s’kam nevojë për asnjë gjë. Kafenë time ma ke lënë në fund. Kur të fillojnë të kërcasin telefonët ty pastaj se shënova edhe numrin tënd te dokumentet dhe kartën e identitetit.
Sekseri – Po t’i tregoj Luli si shok, siç m’i shpjegoi mbrëmë. Do niset dosja këtu do shkojë në Tiranë. Do merret një jurist Selman Ferati (emri denoncuesit) me dosjen e Selman, duke parë…
Denoncuesi – S’janë dosjet të gjitha atje në Tiranë?
Sekseri – Akoma s’kanë ik. Kanë ik këto të Hipotekës këtu jo, p jo arshiva që ka qenë te ish ALUIZNI. Atje e ke, është një djalë Arjan si e ka ai. Ai i ka të gjitha në arshivë dhe i dërgon dosje-dosje. Ai për atë punë është.
Denoncuesi – Lul, unë s’di gjë. Unë në besë tënde jam, ti në besë time.
Sekseri – Ça është? S’më njeh sot ti mua, i kam dhënë provat me ty unë. Unë ti prura ALUIZNI-n aty. Jam nga këta burra. Po të thashë po, po. Nesër deri në orën 1 po më pret burri huaj.
Denoncuesi – Nesër në orën 1, ok.
***
Takimi i dytë i denoncuesit me sekserin
Sekseri – Pse me kaq stres.
Denoncuesi – Ti je me stres.
Sekseri – Unë s’kam stres fare
Denoncuesi – Ti je kuadër, ku ke stres ti.
Sekseri – Po normal. Pse s’i ke bërë për 6 vjet?!
Denoncuesi – Hajde, hajde.
Sekseri – Jam në punë (Ujësjellës Kanalizime Durrës), jam shef ekipi unë!
Denoncuesi – Të kam thënë edhe 1 kafe të mirë e ke, për Zotin. Plus.
Sekseri – Një kafe, ça kafe?
Denoncuesi – Një kafe ty personalisht. Shiko nuk është problemi …
Sekseri – Do kishe mbaruar punë që dje, po s’ka ardhur shefja në zyrë.
Denoncuesi – Edhe unë u mërzita se edhe djemtë u hodhën. Se e kemi provuar me një, edhe…
Sekseri – Po ça e ke provuar ti! Të them edhe një gjë tjetër. Pas Legalizimit të bësh gjërat në terezi atje, edhe certifikatën me ta prurë. S’di unë me bë gam-gam.
Denoncuesi – Përveç atyre, të thashë një 500 – çe e ke ti. Pikë muhabeti, vetëm të vijë këtu.
Sekseri – Do vijë, do vijë shumë shpejt.
(Flet në telefon)
Sekseri – Ça bone?
Sekseri 2 – Mirë vlla mirë.
Sekseri – O shefi se jam një çik me atë historinë e djeshme, të atij Feratit që të kam shkru.
Sekseri 2 – Po, po.
Sekseri – Se i thashë për 2-3 ditë do t’i marrësh në dorë. Po më ka bërë një stres. Më luajti mëndësh ky mua.
***
Denoncuesi takon sekserin e dytë, që iu prezantua si kushëriri i ish-drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit
Sekseri 2 – Në raportet me Lulin, këtë punë e kam marrë unë përsipër. Kjo punë nuk është me datë, nuk do zgjasë se edhe unë s’kam vakt s’kam dhe kohë. Dhe kjo punë do bëhet shumë shpejt o po o jo. Një farë kohë ne, me thënë të drejtën, pritëm edhe Mondën.
Denoncuesi – Kush është Monda?
Sekseri 2 – Drejtoresha, ish-drejtoresha.
Denoncuesi – Këta që erdhën i ka autorizuar kush apo?
Sekseri 2 – S’bëhet mo fjalë.
Denoncuesi – Kur u lidha me të, në emër të vëllait se më tha e kam deputet, edhe më tha ta bën, të ndihmon. Edhe iu drejtova unë, si burrit—burrit. Zotëri ky problem të bën 3 mijë euro. 1 mijë tani, 2 mijë në fund. Ok-ej. Na lekët. Ishte fjala për 3 ditë. Unë kisha thjesht rifreskimin e faturave. U bën 5 muaj.
Sekseri 2 – Do t’mi shkruash tani, t’ia çoj zotërisë. Do ti marrë zotëria shumë shpejt. Funksionon kështu se ne prisnim të vinte Monda. Mondën di e ke dëgjuar edhe ajo u bënte në sekondë. Ajo e kalonte në sekondë, do të shkojnë të rrinë 1 muaj, do rrinë letrat te e-albania. Më pas të vjen ty përgjigjja. Unë gjatë kësaj kohe e marr me foto dhe ta bie në telefon ty. Letrat do të shihen shumë shpejt se nuk do merrem me atë punë. Ti je në rregull me ato matjet që kanë bërë?
Denoncuesi – Ok matjet që kanë bërë, s’është problem.
Sekseri 2 – kanë ardhur zotërinjtë (e ALUIZNI-t) i ka çuar vetë drejtoresha.
Denoncuesi – Kush është drejtoreshë tani?
Sekseri 2 – Risela Xhaja. Riselda tironse, po nuk është. A e ke parë atë në facebook, Xhaja e kam unë mbiemrin. Shkëlqim Xhaja. Ne jena të Krujës, ajo është e jugut. Tani do shihen letrat Selman, tani nuk di të them i bëjnë me gjë apo i bëjnë pa gjë. Do shihen letrat dhe do më thonë “Çim, kjo punë bën 5 lekë”. Kështu funksionon, shihen gjërat dhe bëhen gjërat gati për vulë. Mbasi vijnë për vulë do më thonë “kjo punë bën 5 lekë”
Denoncuesi – Është pazar i madh, të bëjnë dy pazare. A të ka thënë gjë ky, apo i ka marrë për vete ky? Folim burrash tani. Ti e ke shok, unë e kam shok. Unë me këto punë s’kam as shok, as miq. Unë 1 mijë euro ia kam thënë. Ia ka dhënë kujt apo i ka marrë për vete?
Sekseri 2 – Se mua më ka thënë që ashtu dhe unë i kam gati. Janë në dispozicion.
Denoncuesi – Edhe dy mijë euro atë ditë që të dalë leja e legalizimit.
Sekseri 2 – Selman më vlerëso dhe mua vëlla. Po vij dhe të vlerësoj.
Denoncuesi – Ok, në rregull.
Sekseri 2 – Lulit pra kur t’ia thotë kryesori, kur t’ia thotë drejtoresha ose drejtori qysh e tek zotëri kjo punë bën kaq, atëherë Luli duhet të vinte te ty. Kështu funksionon. E kupton?
Denoncuesi – Po. Kështu ka ardhur o i nderuar. Pas 3 ditësh më ka ardhur, zotëri për këtë problem dua 3 mijë euro. 1 i dua sot, 2 kur të nxjerrë atë lejen. Ia kam thënë në dorë.
Sekseri 2 – Këto janë gjepura shqiptarësh. Dhe jena aktualisht je në qendër të nxehtë. Do shihen të hënën, të martën. Do më thonë Çim dhe do vij urgjentisht do të them këto o Selman. Për këto njerëzit, apo për këto që kam marrë unë, për me i bo, jo për m i çu, bëjnë 5 lekë. Jeni dakord? Po më thuaj, ose jo nuk jam dakord. Nëqoftëse ky ka thënë 3, ata e bëjnë me 2, do vij të them Selman bëhet me 2. Inshallah bëhet edhe pa gjë, unë i kam thënë e kam kushëririn tim e kam mikun tim. Për me bë ndër me të heq nga biznesi.
***
“E ke 100 % të kryer”, premtimi i sekserit Lulëzim Ccyrbja për denoncuesin
Sekseri – Çim Xhaja. E ka pasur kushërirë ate shefen.
Denoncuesi – Ai më erdhi jo 3 mijë euro, 6 mijë euro ta bëj unë të mbaroj punë.
Sekseri – Ne e kishim thënë se është në breg të detit. Është dy katëshe, është trekatëshe ka vlerë. Ka gjëra. Se ne e futëm në projekt atë taten. Unë s’di të rrej, e kam futur në projekt.
Denoncuesi – Po mirë mo, ai s’ishte asnjë gjë. Ai ishte vetëm sekser mo burrë.
Sekseri – E ka pasur drejtoreshën gocë xhaje.
Denoncuesi – Drejtoreshën?
Sekseri – Atë Xhajen që iku! Dha prova ai Selman, ka marrë ai disave në plazh. Ka thënë prova ai o bos.
Denoncuesi – Me mua s’dha prova.
Sekseri – Pruni çunat me u bo.
Denoncuesi – Mbasi thashë unë që kanë ardhur këto. Se kush i pruni?
Sekseri – Ai i pruni. Ai i pruni më dëgjo mua. Kush të vjen, me urdhër të drejtoreshës të vijnë ato. Ku bëhet legalizim pa urdhër të drejtoreshës jashtë.
Denoncuesi – Po mirë mo i thuaj hajde me prezanto me to i thuaj t’i jap detyrimin ama jo të më rrejë më.
Sekseri – Nuk rren ai. Unë të thashë kështu kështu janë kushtet. Tu u zgjat çik shumë. Të thashë Selman rri i qetë, ata do bëjnë procedurën. Ty s’tu mbush mendja. Ti më pate thënë se unë do ta jap 1 kafe më mbrapa.
Denoncuesi – Po plus. Po edhe këtij, se e di si më tha. 6 mijë euro për ata, 500 euro mua.
Sekseri – ma tha mua.
Denoncuesi – I thashë t’i jap pa problem.
Sekseri – Ik, ik se do ta mbarojmë. Më lër kohë. Nesër. Se ka hyrë një goca jonë me mbiemrin Agovi para 10 ditësh.
Denoncuesi – Agovi?!
Sekseri – Unë s’të kam ngacmuar se ke qenë pa qejf. Sëmurë më gjana.
Denoncuesi – Se është e çuditshme se 3 fatura më kanë dalë dhe s’më japin të drejtën të paguaj lekët mo burrë. Në 2013-ën paguaj faturat. Ai Flamur Gjuzi, bëri ato gen planet.
Sekseri – Ti kanë rifreskuar të tria kartelat ty. Në rregull? Unë s’të kam thënë gjë. Të tria kartelat që ke ti janë të rifreskuara. Vetëm për t’i marrë, vetëm për t’i tërheq. Të pata thënë shko te kjo noterja për t’i marrë, me atë aplikimin.
Denoncuesi – Unë kam bërë aplikimi, dy deklarata i kam bërë
Sekseri – Te ajo pjesë që ke pasur trekëndëshin mbrapa.
Denoncuesi – S’ka lidhje fare. Ata s’kanë guxim.
Sekseri – Nesër do të takoj dhe do të të them. Do takoj njëherë fiks dhe do të të bie haber. Po të thashë kështu mos i bjer telefonit më.
Denoncuesi – Po ti mos më thuaj 3 ditë, më thuaj 6 ditë, 1 muaj. Ti thoshe 3 ditë dhe mbyllje telefonin.
Sekseri – Pasha Zotin, mos i bjer telefonit për këtë kafe gjera unë të jap letrat. Do të flas nesër, unë s’di as me të rrejt, asnjë gjë. Unë jam burrë. Muhabeti e di ku është o Selman, do firmosësh një letër do presësh këtu, këto kam për ti çu. Këtë do ta japësh në momentin që do të marrësh letrat në dorë. Megjithë certifikatë.
Denoncuesi – Në rregull.
Sekseri – Ajo mbyll hallet e tua.
***
Takimi i katërt
Sekseri – Do të mbaroj punë dhe mos ta bëj tërr syri fare.
Denoncuesi – Më kërkove me ti thënë 2 mijë euro. Tani unë e dua njeriun jo si herën e parë, si ai maskarai. Ai ishte një ordiner, ti më lidhe me një ordiner.
Sekseri – Nuk është ordiner. Më jep kartën e identitetit
Denoncuesi – I kanë të gjitha.
Sekseri – Do të bie provën që ti bëj gjërat fikse.
Denoncuesi – Unë kur t’i jap ato duhet ta di njeriun, ja ti je në punë, të merrem me të a e kupton? Kush është personi?
Sekseri – Ke ardhur të më takosh për hall, kaq.
Denoncuesi – Tashti nëse jam i sigurt, do të flas me djemtë sonte dhe më thuaj kur ta takohemi të jap pjesën që më ke kërkuar. Unë jam nga ata që t’i jap të gjitha, 4 mijë.
Sekseri – Ncncnc, jo, jo, jo.
Denoncuesi – Ama unë dua problemin. Dua zgjidhjen. Jo mashtrime.
Sekseri – Deri në 20 mars do ta mbyll. Unë kam juristin dhe atë tjetrin apo je në gjumë ti. Do marrin dosjen tate do merren nga fillimi.
Denoncuesi – Ça do bëjnë, matjet janë bërë? Skica është bërë.
Sekseri – Ai që ka ardhur i riu, s’firmos me atë që ka bërë ata.
Denoncuesi – Kush ka ardhur, kush është i riu?
Sekseri – Kanë ardhur, kanë ardhur 2-3 të rinj. Ka hyrë Gys Pingili ka hyrë drejtor. Rri se nuk janë gjërat siç thua ti.
Denoncuesi – Sonte do flas në darke me djemtë, se është lekë, se është djersë. Mos ta bëjnë si herën e parë.
Sekseri – Fol, aq më shpejt, aq më mirë për ty, jo për mu. Ta heq këtë punë. Për mua e ke të kryer 100 % kaq. Me të mira.
Denoncuesi – Mirupafshim.***
Pas disa ditësh …
Denoncuesi – Pa më thuaj tani?
Sekseri – Tani kemi folur me nëndrejtorin e përgjithshëm të Hipotekës. Është shoku im që është garant, me letrat me të gjitha. Dy (2 mijë euro) do t’i japësh tani, dy do t’i japësh kur të marrësh letrat. Deri në datën 15 prill i ke të kryme, vdekje më tha mua. Ke punë me mu.
Denoncuesi – 15 prill?
Sekseri – 15 prill.
Denoncuesi – Jo mo.
Sekseri – Tani shpejt i ke, deri më 15 prill. Nuk i ke për t’m’i ra telefonit për t’më bezdis. Unë do të të mbaroj punë këtë radhë. Edhe dua drekën do të rrimë si miq.
Denoncuesi – Në rregull, s’bëhet fjalë.
Sekseri – Dua drekën. Aplikimin e ke. Më 15 prill.
Denoncuesi – Ok, ok. Shihe, shihe edhe njëherë. 421 është dosja. Ja kjo, ja ku janë faturat.
Sekseri – Do të kryejmë hall. Do të kryejë hall, s’më trembet syri.
Denoncuesi – Edhe kryejmë punë dhe hajde në darkë takohemi bashkë.
Sekseri – Këtë radhë do ta kryej punën për burrni, se radhën tjetër …
Sekseri – (Telefonon një person tjetër) O Redon, si je? Ku shkove ti? Unë jam këtu me zotërinë, po pi kafe. I kam marrë këto letrat që t’i jap tani direkt.
Telefonuesi – Ok, ça vendi?
Sekseri – Përballë ujësjellësit, hajde se do lëviz me grupin se do të shkoj për kontroll te lavazhi. Hajde një vrap shpejt e shpejt.
Telefonuesi – Ok erdha.
Denoncuesi – Po ky personi çfarë është, nëndrejtori?
Sekseri – Jo ky është inspektori, shok i ngushtë i nëndrejtorit të përgjithshëm. Ka 3 javë që e ka diskutuar problemin tënd. Dua aplikimin i ka thënë, dua aplikimin, aplikimin. Silli, i ke të garantume.
(Pas disa minutash vjen Redoni)
Sekseri – Hajde Redon se do iki. Ku e çove atë letrën?
Denoncuesi – Ça letre, po ta dhashë pra.
Sekseri – Po pra. Tani do të bëjmë një kopje të kësaj.
Denoncuesi – Njatjeta.
Sekseri – Se është miku im. Na një dhe kjo është aplikimi dy. Çoja atij nëndrejtorit dhe mbarojmë punë. Si të thashë deri më datë 20 prill s’lëviz 1 milimetër. Ne do të takojmë prapë.
Denoncuesi – Ok në rregull.
Sekseri – Jo, jo se do të takoj prapë ty veç.
***
Denoncuesi interesohet te Kadastra e Durrësit
Denoncuesi – Kam ardhur për të pyetur.
Punonjësja – Për çfarë?
Denoncuesi – Për legalizimin në plazh. Më kanë dalë dhe faturat. Tani çfarë do të bëhet?
Punonjësja – Tani hapi i parë fare, nëse më parë paguheshin faturat dhe pastaj dilte legalizimi, tani duhet patjetër të dalë legalizimi që të paguhen faturat e parcelës ndërtimore. Nëse është tokë shtet pret direkt faturat. Nëse është me pronar kompensohet pronari.
Denoncuesi – Tokë shtet është.
Punonjësja – Për momentin ne jemi duke punuar te blloku i Spitallës nga viti 2022. Me urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme. Kështu që për plazh ne akoma s’kemi filluar. Pa mbaruar Spitalla aplikimet e 2005-2006 nuk mund të fillojmë asnjë zonë tjetër.
Denoncuesi – Është problemi se mua më kanë dalë (faturat) dy herë.
Punonjësja – Po.
Denoncuesi – Edhe matjet, faturat dhe për të marrë lejen e legalizimit.
Punonjësja – Për momentin ne s’jemi duke punuar për zonën e plazhit. Dhe pse të kanë dalë faturat, faturat do të bëhen të reja. Po pse s’ke qenë dakord me faturat?
Denoncuesi – Po unë e kam shtëpi.
Punonjësja – Ajo do bëhet si aktivitet. Prandaj të kanë dalë faturat e larta. E pra po tani nuk mund të bëhet, pasi ne s’dalim dot jashtë zonës.
Top Channel