Denoncimi i Fiks Fare/ Tjetërsime dhe mbivendosje pronash në zonën turistike të Valbonës në Tropojë!

08/03/2023 20:57

Fiks Fare denoncoi një skandal me tjetërsime dhe mbivendosje pronash në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, fshatit Valbonë në Tropojë.

Veprimet e institucioneve shtetërore kanë futur në konflikt dhjetëra banorë të vjetër të asaj zone. Megjithëse pronat janë të trashëguara brez pas brezi, sërish ka mbivendosje, pasi në ato prona kanë “futur duart” zyrtarë dhe njerëz të pushtetshëm, duke i tjetërsuar.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Hajredin Selimaj.

“Jemi 4 breza që kemi një pronë të trashëguar. S’kemi pasur konflikt me asnjë. Me këtë pronë dhe shtëpinë kam marrë kredi në bankë. Kjo pronë është e trashëguar. Origjina e pronës është babai im, unë jam lind dhe rritur në këtë shtëpi“, thotë 58 vjeçari.

Ai pohon se në vitin 2009, Kadastra e Tropojës i ka lëshuar një certifikatë pronësie familjes së tij për sipërfaqen 3370 metra katrorë.

“Me këtë certifikatë më lindi ideja se këtu është vend turistik. S’kishim para, ishim fukarenj. Mora këtë arë që e kam të regjistruar dhe mora kredi 35 milionë. Këtë pronë e kam lënë kolateral në bankë”, thotë Hajredini.

Më tej pohon se ka bërë kontratë të rregullt te noteri, ka paraqitur pronën e regjistruar, me plan vendosje, hartë dhe gjithçka tjetër.

“Kur e shleva kredinë, kam shkuar te noteri dhe kam marrë dokument që e shleva. Shkova te Hipoteka e Tropojës dhe në këtë moment kam hasur në rezistencë. Kam dashur të marr certifikatën e rifreskuar, pasi pronën do e ndanim në tre vëllezër”, thotë ai.

Më tej pohon se Hipoteka nuk ia certifikoi. “Shkoj te Bashkia e Tropojës dhe e marr letrën që ma kishin dhënë, që ajo pronë është e imja. Me këtë letër shkoj sërish në Hipotekë dhe më thonë se mbi pronën time ka dalë një komshi. I kishin dhënë 1 dynymë e 300 metra mbi pronën time. Personi që e ka përfituar quhet Sali Selimaj”, thotë ai, ndërsa saktëson se prona e tij është me numër të saktë.

“Nuk e di se çfarë manovrimi kanë bërë. Pronën e komshiut e kanë nxjerrë mbi pronën tonë. Është tjetërsuar. Origjinën e kemi ne. S’i kemi prekur kujt gjë. Në dokumente rezulton se kjo pronë është ndarë në mes. Të gjitha këto veprime janë bërë ne Kadastër. Edhe me komshinjtë s’kemi pasur konflikte. Ai gardh aty ka qenë shekullorë. Komshiu e ka marrë më mbrapa certifikatën. Unë kam 2 vjet që sorollatem, ik andej e andej. Le ta dinë që ne jetojmë brez pas brezi, s’i kemi prekur kujt gjë. Ai njeri që e ka bërë s’na e ka dashur të mirën ne as komshiut”, përfundon qytetari.

Bashkë me Hajredinin, gazetarët e Fiks Fare shkojnë në Bashkinë e Tropojës. Muhamet Kurçana, përgjegjës i Zyrës Bujqësore dhe topograf në këtë bashki, thotë se “qytetari Hajredin, ka të certifikuar pasurinë e llojit arë me sipërfaqe 3370 metër katrorë”. Më tej pohon se kjo pasuri ka dalë nga hartat e ASIG-ut që kanë në sistem.

“Sipërfaqja ka ardhur nga hartat që janë arshivuar nga matjet e topografëve të qytetit. Këto harta kanë gabime. Në të vërtetë kjo sipërfaqe nuk i plotëson metrat. Këto hartat kanë dalë nga ndarja e pronave me ligjin 7501. Por, nuk përputhet dokumenti nga ato që janë në terren, s’është bërë mirë harta nga topografët. Kjo AMTP është regjistruar në emër të z.Hajredin, kemi nxjerre vërtetim që ia kemi thënë qytetarit”, thotë topografi, duke shtuar se “brenda kësaj certifikate janë edhe 800 m2 të qytetarit Sali Selimajt, këtu del që kjo certifikatë s’është e rregullt. Për të njëjtën pasuri janë dy pronarë. Duhen korrigjuar”.

Por, krahas problemit të kësaj familje, topografi zbulon se e gjithë zona e Valbonës ka probleme të mëdha me regjistrimin e pronave, duke i hapur “rrugën” personave të tjerë të bëjnë tjetërsime dhe mbivendosje pronash.

“Hartat duhen korrigjuar në shkallë rrethi. Kanë gabime të mëdha topografike. Krijohen mbivendosje. Gabimin e kanë bërë nga printimet”, thotë ai.

Gazetarët e pyesin se pronat në Valbonë janë të trashëguara ndërsa ai thotë se “e gjithë zona ka të njëjtat probleme, gabime në harta”. Zgjidhja, sipas tij, është që të bëhet një plan i ri rilevimi, pasi këto mbivendosje po fusin në konflikt banorët e asaj zone.

Fiks Fare i kërkoi kadastrës së Tropojës, tashmë me zyrë në Kukës informacion për këtë mbivendosje. Pas disa ditësh, kjo zyra solli përgjigje duke saktësuar se prona e z.Hajdredin është certifikuar në vitin 2009. Por çuditërisht më pas, mbi të njëjtën pronë është certifikuar edhe komshiu Sali Selimaj, i cili ka pasur edhe formularin nr.6.

Në të njëjtën përgjigje, Kadastra thotë se procedura e regjistrimit të pronës nga z. Sali Selimaj (komshiu dhe kundërshtari i denoncuesit) është sekuestruar nga Prokuroria e Tropojës, pasi ka dyshime se është falsifikuar. Por, deri më sot, kjo akuzë s’ka marrë një vendim, duke sjellë që qytetarët të sorollaten me njëri tjetrin, për një pronë në zonë turistike.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA