Granit Xhaka ka theksuar edhe një herë se trajneri Mikel Arteta e bindi të qëndronte në Arsenali në një moment të vështirë, kur ishte praktikisht i ikur nga “Topçinjtë” për shkak të marrëdhënies së vështirë me tifozët (në vitin 2019).
Karriera e mesfushorit shqiptar (përfaqëson Zvicrën) në “Emirates” arriti pikën më të ulët gjatë një ndeshjeje kundër Crystal Palace.
Xhaka u sulmua nga tifozët kur u zëvendësua nga trajneri i atëhershëm i Arsenalit, Unai Emery, dhe u përgjigj duke sharë tifozët.
Karriera e tij në Londrën Veriore dukej se kishte përfunduar pas incidentit, që ndikoi në heqjen e shiritit të kapitenit.
Xhaka deklaroi për “Bein Sports” se Arteta ishte personi kryesor që e bindi të qëndronte.
“Ishte një djalë që më mbajti, ai quhet Mikel Arteta. Gjithmonë do ta mbështes, nuk ka rëndësi se çfarë do të ndodhë.
Pa të, jam 100 për qind i sigurt se nuk do të isha më në klub. Ai e di këtë, kam një marrëdhënie shumë të mirë dhe të sinqertë me të.
Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh në fushë, kurrë nuk do të jem kundër tij apo të them diçka kundër tij.
Ai meriton respektin tim, por edhe respektin nga familja ime. Unë isha ikur. Nuk doja ta vishja më fanllën e Arsenalit.
Jam shumë krenar për veten që e vesh sërish fanellën me shumë respekt dhe dashuri, shpresoj se mund ta mbyllim këtë sezon me një trofe të madh”.
Top Channel