Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Christopher Wray, tha këtë javë se Shtetet e Bashkuara besojnë se pandemia e koronavirusit e ka origjinën nga një aksident laboratorik në Wuhan të Kinës. Sidoqoftë, mes agjencive amerikane të zbulimit ende ka mospajtime të theksuara lidhur me konkluzionin.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve është shprehur se prej disa kohësh beson se pandemia e koronavirusit ka gjasa ta ketë origjinën nga një aksident laboratorik në Wuhan të Kinës. Por Shtëpia e Bardhë i minimizoi pohimet e FBI-së gjatë një konference shtypi të mërkurën.

“Kemi parë konkluzione të shumta dhe të ndryshme nga komuniteti i zbulimit. Konkluzionet e disa prej tyre kanë thënë të kundërtën. Disa të tjera thonë se nuk kanë të dhëna të mjaftueshme. Ndaj duam të tregohemi të kujdesshëm në këtë drejtim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean Pierre.

Departamenti i Shtetit tha gjithashtu se ka një sërë pikëpamjesh brenda komunitetit të zbulimit amerikan lidhur me origjinën e pandemisë.

“Ajo që dimë është se për më shumë se dy vjet, Kina ka bllokuar hetuesit ndërkombëtarë dhe pjesëtarët e komunitetit global të shëndetit publik, që të kenë qasje tek të dhënat e hershme të pandemisë. Është e rëndësishme, që Pekini të tregohet transparent, jo vetëm për të mirën e njerëzve kudo në botë, por edhe për të mirën e popullit kinez”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ministria e Jashtme kineze tha se gjetjet e zbulimit amerikan nuk janë të besueshme.

“Kina kundërshton me vendosmëri çdo manipulim politik lidhur me gjurmimin e origjinës. Përdorimi i komunitetit të zbulimit për çështje të shkencës është në vetvete dëshmi e politizimit të gjurmimit të origjinës”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Origjina e koronavirusit do të jetë një objektiv i rëndësishëm në hetimet dy-vjeçare lidhur me konkurrencën strategjike të Shteteve të Bashkuara me Kinën, të filluara këtë javë nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“A mendoni se ka një mundësi që laboratori i Wuhan-it të jetë i përfshirë në kërkimet për armë biologjike?”, shtroi pyetjen ligjvënësi republikan Jim Banks

Ne e dimë me siguri se ushtria kineze është e përfshirë në kërkime për koranaviruset. E dimë se po eksperimentonin, duke përdorur teknologji amerikane, meqë ra fjala, për të prodhuar një virus në laborator dhe në fakt është krijuar një i tillë. Ne e dimë që ushtria kineze ishte e përfshirë në përpjekjet për të zhvilluar vaksina për koronaviruset”, tha Matthew Pottinger, ish anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zoti Pottinger, i cili ndihmoi në formulimin e politikave ndaj Kinës gjatë administratës së Presidentit Trump, u tha ligjvënësve se ka patur rrjedhje të shumta të patogjenëve të rrezikshëm nga laboratorët kinezë vitet e fundit, përfshirë koronavisurin origjinal SARS (në vitin 2002).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA