Arrihet marrëveshja për mos mbylljen TikTok në SHBA, akordi mund të nënshkruhen të enjten nga Trump dhe Xi Jinping
Irani ka zhvilluar një raketë lundrimi me rreze 1.650 kilometra, ka thënë një komandant i Gardës Revolucionare të këtij shteti.
Diçka e tillë pritet të rrisë shqetësimet e Perëndimit, pas përdorimit të dronëve iranianë nga ana e Rusisë në luftën në Ukrainë, të nisur një vit më parë.
Ndaras, Amirali Hajizadeh, udhëheqës i forcës ajrore të Gardës Revolucionare, ka përsëritur kërcënimet për hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara për vrasjen e komandantit të lartë iranian, Qassem Soleimani, duke thënë se “jemi duke synuar vrasjen e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trump.
“Raketa jonë e lundrimit me rreze 1.650 është shtuar në arsenalin e raketave të Republikës Islamike të Iranit”, ka thënë Hajizadeh për televizionin shtetëror.
Ky televizion e ka transmetuar edhe atë që është thënë të jetë pamja e parë e raketës së re Paveh.
Hajizadeh ka thënë se Irani nuk ka synuar vrasjen e “ushtarëve të shkretë” kur e ka nisur sulmin me raketë balistike ndaj forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak, pak pas vrasjes se Soleimanit me dronë amerikan në Bagdad, më 2020.
“Me dëshirën e Zotit, ne jemi duke synuar vrasjen e Trumpit. (Ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike) Pompeos dhe komandantë ushtarakë që e kanë dhënë urdhrin për vrasjen e Soleimanit”, ka thënë mes tjerash Hajizadeh.
Liderët iranianë shpesh zotohen për hakmarrje ndaj vrasjes së Soleimanit në nivelet më të larta.
Irani e ka zgjeruar programin e tij raketor, sidomos atë të raketave balistike, pavarësisht kundërshtimeve të Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane. Teherani deklaron se sistemin raketor e zhvillon vetëm për qëllime të mbrojtjes./Rel
Top Channel