Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmeteve të 6 shkurtit, janë nderuar të hënën me medalje, pak minuta pas kthimit të tyre në Kosovë.
Medaljet, për të cilat ka dhënë urdhër komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, janë ndarë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe zyrtarë tjerë të institucioneve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se medaljet janë “dëshmi e mirënjohjes tonë për guximin e treguar në Turqi”.
“Është obligimi ynë humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyra jonë si partnerë, e aleatë, dhe si shtet e popull mik i Republikës së Turqisë që t’iu gjendemi atyre në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht përmes jush, të cilët pa humbur kohë u nisët për në Turqi dhe u përpoqët me krejt çka dini dhe mundeni që të shpëtoni jetë”, u ka thënë Kurti pjesëtarëve të FSK-së, duke i përgëzuar për punën e bërë.
Ekipi i FSK-së – i përbërë nga 39 persona – është nisur në Turqi dy javë më parë, pas tërmeteve mbi 7 shkallë që kanë goditur Turqinë dhe Sirinë në orët e hershme të 6 shkurtit.
Pjesëtarët e FSK-së kanë arritur të shpëtojnë katër persona që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmeteve, si dhe kanë nxjerrë rreth 50 persona të vdekur.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, ka thënë se nga tërmetet në Turqi nuk ka vdekur asnjë shtetas i Kosovës.
Si pasojë e tërmeteve në Turqi dhe Siri kanë vdekur mbi 47.000 njerëz dhe mijëra ndërtesa janë shkatërruar.
Për një tërmet të ri 6.3 shkallë të Rihterit në kufirin turko-sirian është raportuar edhe më 20 shkurt.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se puna për ndërtim të gati 200.000 banesave në 11 provincat e prekura nga tërmeti në Turqi, do të nisë muajin e ardhshëm./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel