Jeta e re në Denver e familjes refugjate nga Ukraina

19/02/2023 22:37

Një vit pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë, miliona civilë janë zhvendosur për shkak të luftimeve.

. Disa nga këta refugjatë qëndruan në Evropë, të tjerë gjenden në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Svitlana Prystynska, vizitoi një familje të re refugjatësh ukrainas në shtetin Kolorado.

Familja Irodenko erdhi në Denver në kuadrin e programit të administratës së Presidentit Biden për refugjatët, të quajtur “Të bashkuar për Ukrainën”. Ata u larguan nga qyteti Lviv, dhe vazhduan përmes Polonisë dhe Gjermanisë, pasi ishin të shqetësuar për sigurinë e djalit të tyre 8-vjeçar Zakhari.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është djali ynë. Jemi të lumtur që ai mundet të komunikojë me njerëzit. Sigurisht që i mungojnë shokët dhe vendi, por ne e shohim duke buzëqeshur çdo ditë kur del nga shkolla dhe jemi të lumtur”, thotë Natalia.

“Kur erdhëm pesë muaj më parë, nuk flisja anglisht. Mësuesja më e mirë në shkollë është zonja Kendall, pasi ajo më ndihmoi kaq shumë. Është e sjellshme dhe e përgjegjshme”, thotë në anglisht Zakhari.

“Gjithçka është e re dhe nëse nuk ke dikë këtu, është e vështirë të kuptosh ku të shkosh dhe çfarë të bësh. Jemi të gëzuar që qiradhënësi bëri një përjashtim dhe na pranoi megjithëse nuk kemi historik financiar. As nuk e dinim që na duhej. Po kështu edhe për blerjen e një makine, gjetjen e një makine, gjetjen e shkollës, marrjen e patentës së shoferit, marrjen e dokumentave. Në atdhe është e thjeshtë, por këtu të duhet dikush që të jetë i gatshëm të të ndihmojë”, thotë Natalia.

Miq të tyre nga Denveri i ndihmuan me gjetjen e shtëpisë. Kishat vendore ofruan mobiljet. Oleh Irodenko gjeti punë në një dyqan të riparimit të makinave.

“Pas rreth një muaji, më gjetën në mediat sociale dhe më thanë se donin të më punësonin. Kemi ca pengesa me gjuhën, por janë fantastikë dhe gjithsesi kuptohemi me njëri-tjetrin”, thotë Oleh.

Në Ukrainë, Natalia ishte llogaritare për kompaninë zviceriane të ushqimeve Nestle, e cila e punësoi në zyrat e saj në Denver.

“Gjithë këto vite bashkëpunoja me disa nga kolegët e mi jashtë vendit, por rrallë flisnim anglisht. Të flasësh anglisht me disa kolegë që janë në të njëjtin nivel është ndryshe nga ndërveprimi i vazhdueshëm me persona që e kanë gjuhën e nënës, siç i kam tashmë në punë”, thotë ajo.

Familja Irodenko thotë se e vlerëson mikpritjen e ngrohtë, por se nuk ndalin dot së menduari për atdheun.

“Do të doja të shkoja në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur. Çdo të shtunë bëjmë lidhje me video me gjyshërit e mi, të cilët i ka marrë malli për mua”, thotë Zakhari.

Në Kolorado, familja Irodenko po ndihmohet nga një komunitet i madh i diasporës ukrainase që ndihmon refugjatët dhe mbledh fonde për ilaçe dhe paisje për spitalet e Ukrainës./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA