Ditën pasi Rusia sulmoi Ukrainën, udhëheqësit e 30 vendeve të NATO-s mbajtën një takim emergjence për të trajtuar atë që e cilësuan si rrezikun më të madh për sigurinë euro-atlantike pas dekadash – fillimin e asaj që do të bëhej lufta më e madhe tokësore në Evropë që nga viti 1945.

“Në këtë situatë të vështirë dhe që vazhdon të ndryshojë, nuk është e lehtë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por aleatët do të ofrojnë mbështetje dhe janë të përkushtuar që ta vazhdojnë atë”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg. Se çfarë forme do të marrë mbështetja, kjo mbetet një pikëpyetje në vazhdimësi.

Në muajt që pasuan, mbështetësit e Ukrainës në NATO dhe organizata të tjera, dërguan karburant, helmeta, furnizime mjekësore dhe forma të tjera mbështetjeje jovdekjeprurëse. Në vazhdim dhe pas një hezitimi të gjatë, erdhën sistemet e artilerisë dhe të mbrojtjes ajrore, me shpresën se nuk do të provokonin Presidentin rus Vladimir Putin.

NATO, si organizatë, i ruhej tërheqjes në një luftë të plotë me Rusinë, e cila ka armë bërthamore. Teknikisht situata vazhdon të jetë po kështu, por pas gati një viti Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u mblodh këtë javë për bisedime në shtabin e NATO-s në Bruksel, që shërben zakonisht si forumi kryesor i udhëheqësve, ministrave dhe të dërguarve të vendeve anëtare.

Pasi sapo siguroi premtimet për dërgimin e tankeve luftarake që i nevojiten së tepërmi Ukrainës, ajo tashmë dëshiron diçka më tepër: avionë luftarakë.

“Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë”, tha Hanno Pevkur, ministër i mbrojtjes i Estonisë, një vend balltik që ka kufi të përbashkët dhe një historik të gjatë me Rusinë, dhe që i sheh me sy dyshues synimet e zotit Putin. Qeveria estoneze ka rritur numrin e rekrutëve në ushtri dhe NATO ka shtuar praninë e saj me forca ushtarake në këtë vend.

“Patëm shumë pyetje. A duhet të dërgojmë tanke? Tashmë ky vendim është marrë”, tha zoti Pevkur. “Gjithnjë ka ekzistuar përpara një pikëpyetje dhe një përgjigje që i është dhënë më pas. E dimë se Ukraina ka nevojë për çdo lloj ndihme dhe kjo përfshin edhe avionët luftarakë”.

Me sa duket mungon vetëm prania në terren e forcave aleate. Publiku në Evropë dhe Amerikën e Veriut duket se ka perceptimin e justifikuar se taksat që ata paguajnë për organizatën më të fuqishme të sigurisë në botë, po shpenzohen për një luftë me Rusinë.

Gjatë një viti të sulmit të Rusisë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbi 27 miliardë dollarë në ndihma ushtarake për Ukrainën. Dy zyrtarë të lartë të mbrojtjes vlerësuan këtë javë se vendet e tjera aleate kanë dhënë mbi 19 miliardë dollarë, me vende si Britania, Kanadaja, Gjermania, Italia, Holanda dhe Polonia, që kanë dhënë nga 1 miliardë dollarë secili.
Këto janë fonde që i shtohen dhjetëra miliarda dollarëve që Perëndimi po i dërgon Ukrainës për të mbajtur në këmbë ekonominë e saj.

Për qeverinë nacionaliste të Hungarisë, një vend anëtar i NATO-s, nuk ka asnjë dyshim se çfarë do të thotë kjo.

“Nëse dërgon armë, nëse financon të gjithë buxhetin vjetor të njërës prej palëve ndërluftuese, nëse premton gjithnjë e më shumë armë, gjithnjë e më shumë armatime moderne, atëherë mund të thuash ç’të duash, por pavarësisht nga çfarë thua, gjendesh në luftë”, tha muajin e kaluar Kryeministri Viktor Orban.

Nuk është kështu, thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Edhe ndërsa u bënte thirrje me forcë këtë javë vendeve anëtare dhe partnerëve që t’i japin më shumë armë dhe municione Ukrainës, ish-kryeministri norvegjez këmbënguli se NATO nuk është në luftë me Rusinë.

“As NATO dhe as vendet e NATO-s nuk janë pjesë e konfliktit. Ajo çfarë ne bëjmë… është që ofrojmë mbështetje për Ukrainën. Ukraina po vetëmbrohet”, tha ai. “Lloji i mbështetjes që i ofrojmë Ukrainës ka ndryshuar me zhvillimin e luftës”.

Mbështetja vërtet ka ndryshuar dhe disa prej furnizimeve që nevojiten janë të vështira për t’i gjetur, megjithë dëshirën e Perëndimit. Ukraina harxhon tashmë çdo ditë më shumë predha artilerie se ç’porosit në kohë paqeje në një vit një vend i vogël i NATO-s dhe industria e mbrojtjes e Evropës po mundohet të ruajë ritmin.

“Është shndërruar në një luftë degradimi të kundërshtarit. Është pra një betejë logjistike dhe kjo është një përpjekje shumë e madhe e aleatëve për të gjetur municionin, karburantin, pjesët e këmbimit që nevojiten”, tha zoti Stoltenberg.

Ndoshta një nga ndryshimet më të rëndësishme të shkaktuara nga lufta ka qenë ndërgjegjësimi se garancia e mbrojtjes kolektive të NATO-s – angazhimi se sulmit ndaj njërit prej aleatëve do t’i kundërpërgjigjen të gjithë të tjerët – nuk është më një premtim abstrakt.

Ish-Presidenti Donald Trump dëmtoi besimin tek kjo garanci duke kërcënuar me braktisje vendet aleate që ai i konsideronte se nuk po harxhonin mjaftueshëm për forcat e tyre të armatosura.

Në fillimet e luftës, pasardhësi i tij Joe Biden, u zotua se NATO do të mbrojë “çdo centimetër” të territorit të saj, për ta dekurajuar zotin Putin nga vendosja në objektiv e vendeve anëtare. Finlanda dhe Suedia lanë pas qëndrimin e tyre tradicional të neutralitetit, dhe aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO dhe për ta siguruar këtë mbrojtje.

Pas gati një viti, rreth 40 mijë forca ushtarake janë nën komandën e NATO-s në Evropën lindore, që nga Estonia dhe deri në Bullgari pranë Detit të Zi. Rreth 100 mijë ushtarakë amerikanë janë të dislokuar në Evropë. Mbi 140 anije luftarake lundrojnë në detet e Evropës; ka një mbulim me mbikqyrje ajrore 24 orë në ditë, dhe një numër prej 130 avionësh janë gjithnjë në gjendje gatishmërie.

Këto forca janë destinuar për të qëndruar në territorin e vendeve të NATO-s, por vendet anëtare që gjenden pranë kufijve të Rusisë, si Lituania, thonë se janë gati t’i shkojnë deri në fund mbështetjes për Ukrainën. Ato mendojnë se Ukraina duhet lejuar të anëtarësohet në NATO, qoftë në luftë apo jo.

Kur udhëheqësit e NATO-s të takohen në korrik në kryeqytetin lituanez Vilnius, ata pritet që të marrin në shqyrtim rritjen e ndihmave me më shumë paisje të teknologjisë së avancuar. Është e vështirë që të mendohet se ndonjë vend aleat do të shqyrtojë dërgimin e forcave ushtarake. Por sidoqoftë, vetëm 18 muaj më parë, as NATO nuk mendonte se zoti Putin do të urdhëronte sulmin në Ukrainë.

Top Channel