“Do ta paguash nëse nuk tërhiqesh”/ Avokati u kërcënua më parë, Dorjana Bezat: Organizatori nuk ra dakord me ndarjen e pronës, prej kohësh…

29/05/2024 22:23

Gazetarja Dorjana Bezat zbuloi detaje të reja në lidhje me sulmin që iu bë Sokol Mëngjesit, teksa fokusin e ndali edhe tek kërcënimet që i janë bërë avokatit.

Ajo tha se Mëngjesi është kërcënuar më parë, pasi organizatori Dritan Nano nuk ka rënë dakord për pjesën që i takonte avokatit, i cili i përfaqësoi në gjyqin për pronat.

Bezat sqaroi me detaje se si ka nisur e gjithë zanafilla e problemeve mes Nanos dhe avokatit.

“Ai ka thënë se është kontraktuar nga Dritan Nano dhe ka kryer këtë akt por nuk kishte gjë personale me avokatin. Kjo është një vepër e rëndë. Autori nuk e ka ditur personalitetin që ai kishte, kjo sipas deklaratës. Policia nuk i mëshon shumë faktit të një veprimi me pagesë, pasi ata të katërt kanë lidhje me njëri-tjetrin qoftë familjare apo shoqërore.

Bëhet fjalë për një gjyq civil. Në lidhje me një pronë në liqenin artificial, një pronë e konsiderueshme. Çështja ishte në civile, avokati ka qenë përfaqësues, me të cilën ka bërë edhe një kontratë paraprake. Ai përfaqësonte familjen Sheqeri, e cila kishte tetë anëtarë.

Mes këtyre trashëgimtarëve është edhe Nano, që e ka trashëgimi nga nëna. Ai nuk ka rënë dakord me përqindjen që do të merrte avokati, sipas kontratës së hartuar më parë. Për të paguar avokatin. Ai ka thënë se nuk ka qenë ai që ka firmosur për avokatin. Këto kanë vijuar për shumë muaj. Derisa avokati hapi një çështje civile.

Gjyqi është mbyllur rreth një vit më parë, avokati duke qenë se nuk po e zgjidhte me Nanon, ai i është drejtuar Gjykatës Civile, e cila ka bllokuar atë që i takonte atij. Prona është bllokuar javët e fundit. Përpara kësaj ngjarje ka pasur një kërcënim avokati, për të cilën nuk ka bërë një denoncim. Nga familjarët më është thënë se avokatit i është thënë se ‘do ta paguajë nëse e vazhdon këtë gjyq që ka hapur'”, tha Bezat.

Top Channel