Një bisedë e hapur dhe miqësore, kështu e cilësoi presidenti serb Aleksandar Vuçiç takimin me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Dhe kur e them të hapur, e mendoj vërtet një gjë të tillë. Më kuptuat të gjithë. Rroftë Serbia”, theksoi ai në videon messazhin e publikuar në llogarinë e vet në Instagram. Përpara takimit, Vuçiç ishte shprehur se do të “vazhdojë të mbrojë Serbinë” dhe se Perëndimi “mund të ëndërrojë për njohjen reciproke” të Beogradit ndaj Prishtinës.
Mediat në Beograd kishin shkruar përpara kësaj se në mbledhjen e djeshme të Partisë Progresive serbe, Vuçiç, ka thënë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme si kandidat për kryeministër dhe se “nuk do t’i dorëzohet shantazheve të Perëndimit, Partisë Socialiste të Serbisë dhe djathtistëve të rremë”. Lajçak udhëtoi drejt Beogradit pasi takoi në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin tha se ka diskutuar “gjithçka” që lidhet me dialogun, megjithatë se diskutimi ka qenë i përqendruar te propozimi europian.
Kurti tha pas takimit se e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”. Përmes një postimi në Tëitter, diplomati sllovak la të kuptohet se Kosova e pranoi propozimin e BE’së, do ketë takime të niveleve të larta.
Top Channel