Guardiola: Gabim i përsëritur, e vështirë të gjesh shpjegim

06/02/2023 12:43

Pep Guardiola pranoi se Man. City humbi një mundësi të artë për të rikuperuar pikë në garën për titullin kampion. Kampionët në fuqi u mundën me rezultatin 1-0 nga Tottenhami falë golit të Harry Kane, që u bë golashënuesi më i mirë në histori për “Spurs”.

“Po, sigurisht ishte një mundësi e mirë për ne,  sepse Arsenali deri tani  ka humbur shumë pak pikë dhe mund të rikuperonim. E nisëm ndeshjen shumë mirë, por pas një gabimi pësuam gol. Është një gabim i përsëritur.

Të gjesh një shpjegim nuk është e lehtë. Në pjesën më të madhe e interpretuam mirë lojën, por nuk është e lehtë kur 10 lojtarë mbrojnë. Tottenhami ka një skuadër fantastike dhe nuk është çudi që ata të të ndëshkojnë. Ata kanë shumë cilësi në repartin ofensiv dhe luajë shumë mirë në grup.

Ne do të mundohemi të rikthehemi që në sfidën tjetër. Do ta përgatisim sa më mirë ndeshjen përballë Aston Villas dhe do të mundohemi të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme.”

Diferenca mes Man. City-t dhe Arsenalit është 5 pikë, megjithatë, topçinjtë kanë një ndeshje më shumë për të luajtur dhe diferenca mund të thellohet në 8 pikë. Sfida e radhës për Man. City do të jetë ndaj Aston Villas, ndërsa menjëherë më pas do të zhvillohet supersfida me Arsenalin.

Top Channel