Muriqi protagonist ndaj Real Madrid, Mallorca mposht kryeqytetasit

05/02/2023 16:02

Vedat Muriqi ishte protagonist në fitoren e Mallorcas ndaj Real Madrid me rezultatin 1-0.

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës nisi aksionin e golit të vetëm të sfidës teksa në minutën e 28-të të pjesës së parë, i “vodhi” kohën Nacho Fernandes, me këtë të fundit që devijoi gabimisht topin në portën e mbrojtur nga Lunin.

Duket se Los Blancos i sjellin fat Muriqit i cili i ndëshkoi edhe në ndeshjen e fazës së parë në Santiago Bernabeu. Ndërkohë, madrilenët tentuan në vijim të ndeshjes me çdo kusht për të arritur të paktën barazimin. Rasti më i mirë iu shfaq Marco Asensios i cili pati shansin të ekzekutonte një 11-metërsh në minutën e 59-të.

Por, sulmuesi gaboi teksa portieri Rajkovic ia doli ta hipnotizonte me topin që përfundoi në goditje këndi. Deri në fund, sulmet e kryeqytetasve nuk u ndalën, mirëpo Mallorca rezistoi dhe në fund dolën me pikët e plota duke u ngjitur në kuotën e 28 pikëve në vendin e 10-të të klasifikimit ndërsa nga ana tjetër, Reali mbetet në vendin e dytë me 45 pikë, por rrezikon të humbasë edhe më shumë terren me Barcelonën kryesuese.

Top Channel