Shorti vuri Shqipërinë U21 në grupin E të eliminatoreve të Euro 2025. Kuqezinjtë e Alban Bushit do të sfidojnë Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.
Trajneri preku disa tema në konferencën për shtypin, duke u nisur nga rivalët, skuadra e tij, objektivat, dy lojtarët e kombëtares A që shpreson t’i ketë në skuadër dhe problemin e madh që ka parë gjatë katër viteve në stolin e Shqipërisë U21.
“Mendoj që është një grup relativisht i fortë dhe i ekuilibruar. Gjithkush mund t’i marrë pikë njëri-tjetrit. Janë ekipe që të hapin probleme. Gjithmonë jemi në kërkim të talenteve, FSHF ka bërë punë të mirë. Do të kemi prurje shumë të forta. Shpresoj të mos kemi dëmtime këtë sezon.
Uroj që lojtarët të marrin minuta në ekipet e tyre, kam besim se do bëjnë mirë. FSHF mund të na ndihmojë me ndeshje miqësore. Grupi është i kalueshëm. Kemi menduar të bëjmë katër miqësore.
Objektivat? Ne jemi ekip modest, por jemi të fortë kur bëhemi bashkë dhe sakrifikojmë për njëri-tjetrin. I kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar. Kemi probleme për gjetjen e lojtarëve në disa pozicione.
Superliga? Këtë sezon nuk është se ka shumë lojtarë për Shpresat. U bëj thirrje klubeve të aktivizojnë lojtarë të rinj, do të përfitojnë nga ata.
Do jetë grup interesant, mendoj se do ketë shumë barazime. Jemi të fokusuar te ndeshja e parë ndaj Armenisë. I kemi parë, e kuptuam mënyrën e tyre të lojës. Duke sakrifikuar dhe luftuar, por edhe me pak fat, kemi mundësi të arrijmë sa më lart.
Asllani dhe Bajrami (Adrian) janë dy lojtarët që mund t’i kemi nga ekipi A, por i dyti është i dëmtuar. Me Sylvinhon kemi patur 2-3 takime. Më pëlqen shumë mënyra se si punon. Mendon të bëjë sa më mirë dhe të arrijë sa më lart. Edhe si futbollist ka qenë i tillë. Mendoj se do të bëjë mirë, si ekipi i parë dhe ekipi Shpresa.
Kemi punuar mjaft mirë, kemi patur edhe problemet tona. Problemi më i madh ka qenë përqendrimi, një problem ballkanas. Është një gjë gjenetike, si rritesh dhe si zhvillohesh. Përqendrimi gjatë 90 minutave na ka munguar.
Do të grumbullohemi në mars në Antalia për të bërë diçka më ndryshe. Do të luajmë katër ndeshje miqësore. Futbolli është aq sport i bukur, por edhe i mërzitshëm. Mund të luajmë keq, por duhet të vrapojmë mirë dhe të luftojmë. Këtë kam kërkuar gjithmonë tek ekipi.
Është një brez pak i çuditshëm. Nuk kanë shumë pasion dhe dëshirë për fanellën, kohët kanë ndryshuar, por janë djem të mirë. Mendoj se 70% e grupit do të jetë njësoj me grupin e tetorit. Unë kam shumë besim se do të afrojmë edhe shumë lojtarë të tjerë”, deklaroi trajneri i Shqipërisë U21.
Top Channel