Gentian Nushi, ish-nënkryetari i bashkisë së Lushnjës është liruar nga burgu, pasi ka ezauruar dënimin me 1.8 vite burg gjatë paraburgimit për abuzime dhe shkelje të barazisë në tendera.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja kryesues, Igerta Hysi anëtare dhe Dhimitër Lara anëtar, sot më datë 24.01.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 22 akti, datë 23.01.2023 regjistrimi, regjistruar mbi kërkesën e të pandehurit G.N., për konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit personal “arrest në burg” dhe vendosi:
– Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit z. G.N., me vendimin nr. 101, datë 11.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit z. G.N. nga ambientet e paraburgimit nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor“- njofton Gjykata e Posacme e Apelit.
Nushi u arrestua në zyrën e tij në dhjetor të vitit 2021, pas një hetimi disa mujor lidhur me proceduarat e ndjekura të tenderit të kanalit Bishqthem-Bitaj. Prokurori konstatoi se Nushi ka ndërhyrë në procedurat e përzgjedhjes së fituesve në këtë tender. Gentian Nushi bashkë me Leonard Sefën me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Prokurimeve/Juridike, u vunë në pranga disa muaj pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe për abuzime dhe shkelje të barazisë në tendera.
Top Channel