Ekonomia shqiptare do të rritet vetëm me 2.4% përgjatë këtij viti.
Janë këto projeksionet e agjencisë britanike të kërkimeve dhe analizës, The Economist Intelligence Unit, sipas të cilës ekonomia edhe pse është kthyer në nivelet e para pandemisë, në 2023 do të ngadalësohet ndjeshëm.
Efektet në ekonomi thuhet në raport do të përcillen me inflacion të lartë, pra përshpejtim të rritjes së çmimeve dhe dobësim të kërkesës nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në Europë.
Ndërsa për vitin 2024 parashikimet janë më optimiste dhe flasin për një zgjerim të ekonomisë me 3.2%.
Instituti britanik të kërkimeve nënvizon si një ndër problemet më shqetësuese emigracionin masiv dhe mungesën e punëtorëve të kualifikuar që mund të pengojë në afat të gjatë perspektivën dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Ndër të tjera raporti thekson se qeveria po përballet me sfida fiskale, veçanërisht në drejtim të të ardhurave tatimore të ulëta. Në këtë kuadër, rekomandon një reformim të thellë të sistemit të ashtuquajtur sipas tij kompleks dhe të fragmentarizuar të taksave.
Ekspertët e njësisë inteligjente në “The Economist” vlerësojnë si problematike edhe nivelin e lartë të informalitetit në vend, duke theksuar se sektori i madh informal do të dobësojë kërkesën e brendshme, nxitësi kryesor i rritjes në vitet e fundit.
Megjithëse pret që ekonomia të rimëkëmbet gradualisht, skenari i The Economist është më optimist se ai i bërë nga organizmat ndërkombëtar FMN me një vlerësim prej 2% rritje të PBB dhe Banka Botërore në rishikimin e fundit të saj parashikon një zgjerim të ekonomisë këtë vit me vetëm 2.2%.
Top Channel