Refuzoi ofertën e rinovimit, Real Madrid pas talentit të United

17/01/2023 12:17

Real Madrid nuk ndalet kur vjen puna te nënshkrimi i lojtarëve premtues së të ardhmes.

Filozofia e Los Blancos ka ndryshuar tërësisht me “Galaktikët” që po përgatiten për të koleksionuar futbollistët më të mirë të gjeneratës së ardhshme. Dhe, në këtë drejtim objektivi i radhës për drejtuesit spanjollë është Alejandro Garnacho i Manchester United.

Argjentinasi në këtë sezon ka gjetur minuta të vlefshme nga trajneri Erik ten Hag teksa është aktivizuar në 17 ndeshje në të gjitha kompeticionet duke realizuar tre gola si dhe duke regjistruar gjashtë asiste. Talenti i 18-vjeçarit që aktivizohet në rolin e sulmuesit të majtë është i padiskutueshëm me Real që qëndron vigjilent sa i takon kontratës së tij me “Djajtë e Kuq”.

Garnacho ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2024 ndërsa së fundmi refuzoi ofertën për rinovim për shkak se nuk ishte i kënaqur me pagën e ofruar nga klubi. Garnacho nuk mjaftohet me 20.000 paund në javë e në këtë mes kërkon të ndërhyjë Reali që është i gatshëm të kënaqë interesat ekonomike të sulmuesit. Megjithatë, lufta është e hapur pasi United me siguri nuk do të dorëzohet lehtë duke njohur talentin e Garnachos.

Top Channel