UEFA ka marrë vendimet disiplinore pas përleshjes masive që shpërtheu në fund të ndeshjes mes Lyonit dhe Fenerbahçes, e vlefshme për play-off-et e Champions League, më 26 gusht.

Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s ka dënuar mesfushorin e Fenerbahçes, Matteo Guendouzi, me 50 mijë euro gjobë dhe katër ndeshje pezullim në kompeticionet europiane për klube.

Guendouzi është ndëshkuar për fyerje ndaj personave të pranishëm në stadium, provokim të tifozëve dhe shkelje të rregullave themelore të sjelljes. Dy prej katër ndeshjeve të pezullimit janë vendosur me kusht, me një periudhë prove prej një viti.

Për pasojë, ish-lojtari i Lazios do të mungojë në dy ndeshjet e para të Fenerbahçes në fazën e ligës së Champions League. Ai do të mungojë gjithashtu në përballjen ndaj Romës më 10 shtator

Ndërkohë, UEFA ka qenë më e butë me Mason Greenwood. Sulmuesi është dënuar me një ndeshje pezullim me kusht, si dhe me një gjobë prej 30 mijë eurosh. Edhe Fenerbahçe si klub është ndëshkuar për ngjarjet e dhunshme, me një gjobë totale prej 95 mijë eurosh.

Masat disiplinore kanë prekur edhe klubin francez. Portieri i Lyonit, Antonio Ferreira, është pezulluar për pesë ndeshje në kompeticionet europiane të UEFA-s për shkak të “agresionit të rënduar”.

Edhe në rastin e Ferreiras, pezullimi për dy ndeshje është vendosur me kusht për një periudhë prove prej një viti. Kështu, portieri i Lyonit do të mungojë në tre ndeshjet e ardhshme europiane të skuadrës franceze.

Lyon është gjobitur gjithashtu si klub me një shumë totale prej 180.5 mijë eurosh. Vendimet vijnë pas përleshjes masive që shoqëroi fundin e sfidës Lyon-Fenerbahçe, duke sjellë një sërë masash disiplinore ndaj lojtarëve dhe klubeve të përfshira.

Top Channel