Ferrari ëndërron në Mozna/ Leclerc dhe Hamilton më të shpejtët në provat e lira, lënë pas Mercedes-in
Pas raportimeve se Vllaznia e femrave do të largohej nga kampionati, situata në klubin shkodran ka marrë një tjetër drejtim.
Presidenti i klubit, Lazër Matija, ka konfirmuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i ekipit.
Në një konferencë për mediat, Matija shpjegoi arsyet që e kanë çuar drejt këtij vendimi, duke theksuar se qëndrimet e tij të fundit janë interpretuar në mënyrë të gabuar dhe se nuk ka qenë kundër strategjisë së Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit, edhe nga ndeshja e djemve në Elbasan, është marrë për keq prononcimi im për atë që ndodhi atje, sikur unë jam kundër strategjisë së FSHF-së, por nuk është e vërtetë. Unë, para se të jem kryetar i shoqatës rajonale, jam president i Vllaznisë së femrave.
Nga njëra anë, për mua është lehtësim të largohem nga ky pozicion, por ana tjetër është edhe një arsyetim i federatës që personi që të jetë në krye të jetë një figurë piketë që të marrë udhëzime.
Duke menduar shumë gjëra, unë mund të kërkoj edhe zgjedhje, edhe votëbesimin e shoqatës dhe jam i bindur që e marr 100%. E kam bërë për t’i shërbyer qytetit, nuk e kam bërë për një rrogë. Do të kontribuoj deri në momentin e zgjedhjeve, që të jetë një person që të punojë edhe më mirë se sa unë”, deklaroi Matija.
Ai u ndal edhe te qëndrimet e tij kritike ndër vite ndaj zhvillimeve në futbollin shqiptar, duke theksuar se prej rreth 30 vitesh ka qenë i angazhuar në këtë sport.
“Ka disa kohë që jam prononcuar për disa gjëra në futbollin shqiptar. Nuk jam tranzit në futboll, kam 30 vjet në krye këtu duke kontribuar, i kam shërbyer këtij sporti. Kam qenë kritik, por edhe mund të kisha heshtur.
Kam pasur kundërshtime që të mos shkrihen klubet e futbollit të femrave. Kam parë strategji të gabuar. Futbolli i vajzave në Shkodër ka qenë i persekutuar, kanë marrë futbolliste në Kombëtare dhe i kanë lënë në stol. Kam pasur debate për arbitrimin në futbollin e vajzave. Kanë dashur të na heqin kampionatin, por nuk ia kanë dalë falë punës dhe sakrificës”, u shpreh ai.
Në fund, Matija theksoi se largimi i tij nuk do të ndikojë në vazhdimësinë e Vllaznisë së femrave, ndërsa shprehu besimin se drejtimin mund ta marrë një tjetër shkodran që do të punojë për klubin.
“Do të ketë shkodranë të ndershëm që e duan Vllazninë dhe do ta çojnë edhe më lart. Kemi shumë gjëra për të thënë, por për momentin janë të mjaftueshme. Mesazhin mund ta marrin të tjerët si të duan, nuk mund të luftohet një njeri që punon. Pse tërhiqem unë, Vllaznia do të jetojë”, përfundoi Matija.
Top Channel