Chelsea del nga kriza, Newcastle nuk gabon në “St James Park”

15/01/2023 17:17

Chelsea rikthehet të shijojë një fitore në Premier League pas tri javësh, teksa feston edhe Newcastle. Ekipi i Graham Potter iu fal golit me kokë të Kai Havertz (64’) për të thyer 1-0 Crystal Palace në “Stamford Bridge”.

Sfida nisi me një minutë heshtje në nder të Gianluca Viallit, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë në moshën 57-vjeçare, ndërkohë që tifozët shpalosën një banderolë gjigante në kujtim të ish-sulmuesit dhe trajnerit.

“Kur golat e tij ndriçojnë qiellin, mua më rreshket një pikë loti”, lexohej në dedikimin emocionues të tifozëve londinezë për ish-goleadorin italian.

Ndërkohë, përpara tifozëve të rinj u prezantua edhe Mykhaylo Mudryk, i cili zbriti në fushën e blertë me flamurin ukrainas. Newcastle hasi vështirësi përballë Fulham, por në fund arriti tri pikë të arta falë golit të Alexander Isak (89’).

Skuadra e Eddi Howe rigjeti fitoren pas dy barazimeve radhazi. Në “St James Park” u arrit një triumf tepër i rëndësishëm për objektivin Champions League. Newcastle ndan vendin e tretë në renditje me Manchester United.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA