Ditët e para të këtij viti kanë filluar me intensifikimin e angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për të shtyrë përpara dialogun Kosovë-Serbi me qëllim arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Forcat paqeruajtëse të KFOR hoqën barrikadat e fundit, disa automjete të rënda që bllokonin qarkullimin duke liruar kështu përfundimisht rrugët në veri të Kosovës të cilat për 19 ditë u mbajtën të bllokuara nga serbët lokal. Sipas KFOR-it, “heqja e barrikadave të fundit u bë në përputhje me mandatin që ka KFOR-i nga OKB-ja, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

KFOR mbetet vigjilent

“Demontimi i barrikadave përfundimtare u krye në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt, për të shmangur incidentet dhe rreziqet e tjera për sigurinë lokale. KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin që të vazhdojë të zbatojë mandatin e vet të OKB-së plotësisht dhe në baza ditore, duke kontribuar për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë. Po ashtu theksohet se “NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së, si platforma kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për ndërtimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në të gjithë rajonin”.

Viti i Ri fillon me shtimin e angazhimit ndërkombëtar

Që në ditët e para të këtij viti ka një dinamikë të shtuar të komunitetit ndërkombëtar për të shtyrë përpara dialogun Kosovë-Serbi me qëllim arritjen e një marrëveshje për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Mbrëmjen e së enjtes në Kosovë qëndroi i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stuart Peach, ku takoi me dyer të mbyllura kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani. Në një njoftim të ambasadës britanike thuhet se Lordi Peach, “mirëpriti përpjekjet për uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe inkurajoi riintegrimin e serbëve të Kosovës në institucionet kosovare”.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të thyejnë ciklin e krizave dhe retorikës së rrezikshme dhe të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, thuhet në njoftim. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ndërkaq, pas takimit me Lordin Peach, tha se “Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë”, porse sipas saj, “pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”.

Osmani kërkon qëndrim unik të ndërkombëtarëve

Presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori, thuhet në njoftimin e presidencës. Sipas Presidentes Osmani, “në veriun e Kosovës, sfidimi i rendit ligjor dhe juridik po ndodh nga banda kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij, lidhur me dialogun me Serbinë, ka thënë se “propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme”, por që sipas tij, “Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë”.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media në Beograd, tha se të paktën “nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës”, duke përmendur edhe emrat e tyre e që sipas tij janë: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet. Por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, në një komunikatë për medie thotë se “nuk ka asnjë njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen”.

“Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë. Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale. Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së jashtme të Kosovës. E ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë me një njoftim të saj, shkroi se “Të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt”.  Kështu shkroi Ambasada Amerikane në Kosovë në profilin e saj zyrtar në Twitter, duke reaguar kësisoj ndaj lajmeve në mediet e Kosovës se llogaria e saj në këtë rrjet social kishte “pëlqyer” një postim të një mediumi serb që fliste për ç’njohjet e pavarësisë së Kosovës.

“Qëllimi ynë parësor është të mbështesim Kosovën, pasi ajo zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e ambasadës amerikane. Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë të ditur se javën që vjen Serbinë do ta vizitojë këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të shtetit Derek Chollet. Përveç tij, Vuçiq konfirmon se në Serbi do të udhëtojnë edhe negociatorët evropianë të angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA