Fiksimi Enzo Fernandez, Chelsea ofron 90 mln € dhe tre lojtarë

05/01/2023 13:02

Chelsea është fiksuar keq me Enzo Fernandez, mesfushorin argjentinas që u shpall lojtari i ri më i mirë në Botërorin e Katarit.

21-vjeçari është në pronësi të Benfikës, klub që di të rrisë talente dhe t’i shesë shtrenjtë.

Portugezja Record zbulon ofertën e fundit të klubit londinez, propozim që vështirë të refuzohet nga “Shqiponjat e Lisbonës”. Chelsea ka gati 90 milionë euro dhe tre lojtarë për të mbërritur te Fernandez.

Përveç milionave të shumta, anglezët i ofrojnë Benfikës kartonin e Hakim Ziyech, për të cilin ka patur interesim edhe nga Milani, si dhe huazimet e dy lojtarëve të talentuar: Andrey Santos dhe David Datro Fofana.

Braziliani luan në qendër të mesfushës. Chelsea ka gjetur akordin me Vasco da Gama për 18 milionë paund, ndërkohë që investoi 12 milionë euro për të marrë Fofana nga Molde.

Sulmuesi 20-vjeçar, i cili debutoi me kombëtaren e Bregut të Fildishtë tri vite më parë, zbarkoi në “Stamford Bridge” për të zëvendësuar Armando Brojën, por mund të përfundojë te Benfika bashkë me Santos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA