Rruga Lekaj-Fier përveç se me katër korsi ka gjithashtu edhe dy rruge paralele që e shoqërojnë përgjatë gjithë gjatësisë së saj.
Ndërtimi i këtyre rrugëve paralele është planifikuar që në vitin 2013 në buxhetin e asaj kohe, ndërsa rruga vazhdimisht ‘ka ngrënë’ para për t’u ndërtuar dhe për t’u shndërruar në një aks të rëndësishëm kombëtar që lidh kryeqytetin me jugun. Por, për qeverinë, të gjitha këto investime do të hidhen poshtë pasi ajo planifikon t’ia japë koncensionarit për ta shfrytëzuar për 35 vite, duke i vendosur dhe traun një rruge që shqiptarët e kanë paguar njëherë bashkë me rrugët paralele.
Në vitin 2013, parashikohej që nga Plepat deri në Fier, do të bëhej sistemimi dhe asfaltimi i rrugëve paralele, të cilat janë ekzistuese. Paratë janë dhënë për këto rrugë, por në koncesionin dhënë 8 kompanive thuhet se do të investohen 320 milion euro apo 7 milion euro për kilometër, pa përfshirë këtu interesat e kredisë tregtare që gati i dyfishojnë kostot.
Ndërtimi i këtij aksi 46 km të gjatë është financuar njëherë nga taksapaguesit shqiptarë, por edhe ata italianë. Nga Lekaj deri në Rrogozhinë ka qenë një kalvar i gjatë dhe i mundimshëm për shoferët në Shqipëri, të cilëve iu kujtohet se rrugës iu deshën plot 12 vite për të përfunduar si dhe i kushtoi buxhetit plot 4.7 miliardë lekë apo 36 milion euro, si një rrugë me katër korsi e tipit A2 që filloi nga Plepat deri te rrethrrotullimi në Rrogozhinë.
Ndërkohë, pjesa e Lushnjë – Fier u ndërtua me financim italian, 21 milion euro nga Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Jashtme Italiane në 2009-ën. Edhe në studimin e fizibilitetit të Bashkimit Europian për këto akse shihet se vështirësia e saj është më e lehta në të gjithë korridorin Adriatiko – Jonian. Pikërisht, aksin me më pak nevojë për investime dhe me shumë mundësi fitimi, Ministria e Infrastrukturës ia dha me koncesion 8 kompanive. Ministrja Balluku nuk morri parasysh as faktin që mund të siguroheshin kredi me interesa të ulta nga Bashkimi Evropian për ta përshtatur këtë rrugë në rrugë të tipit A 1.
Top Channel