Mjekët nëpër qendra shëndetësore janë të revoltuar, pasi nuk marrin shpërblimin e fundvitit.
Në disa qendra është dhënë dhe në disa të tjera jo. Bëhet fjalë për një shpërblim afro 15 mijë lekë të reja i cili sigurohet 5% nga buxheti vjetor dhe 20 % nga të ardhurat dytësore.
Por një urdhër i kryeministrit për mos përdorimin e fondeve të veçanta për shpërblimin e punonjësve i ka penalizuar ata.
Ndërkohë që nuk po marrin asnjë përgjigje as për përqindjen që siguronin nga të ardhurat dytësore, mjekët e qendrave shëndetësore e kanë në kontratën e punës shpërblimin që marrin në fund të vitit. Madje ata vlerësohen edhe në bazë të performancës së tyre bazuar në numër vizitash që kryejnë.
Gjatë kësaj të mërkure dhjetëra mjekë i janë drejtuar me peticion drejtuesve të tyre pasi ndihen të nënvlerësuar.
Kujtojmë se mjekët e qendrave shëndetësore përballuan me shumë ngarkesë tre vite të pandemisë së Covid, pasi përveç sëmundjeve kronike ata mbajtën peshën e madhe të pacientëve me Covid, të cilët duhet të kontaktonin më parë dhe të ndiqeshin me mjekun e familjes dhe vetëm në rastet kur gjendja shëndetësore e tyre përkeqësohej atëherë shkonin në spitalet Covid.
Top Channel