Zgjoheni thuajse përditë me dhimbje koke? Ja se çfarë duhet të dini

26/12/2022 10:05

Dhimbjet e kokës në mëngjes mund të shfaqen për arsye të ndryshme. Mund të shfaqen pas një gjumi të keq të natës, kur jeni nën stres, ose mund të shfaqen çdo ditë.

Dhimbjet e kokës shpesh ju zgjojnë pas orës katër të mëngjesit, ose mund të shfaqen në minutat e para pas zgjimit. Dhimbjet e kokës të shoqëruara me apnea të gjumit ndodhin gjithashtu në orët e hershme të mëngjesit. Një studim zbuloi se një në pesë njerëz me apnea të gjumit raportuan dhimbje koke në mëngjes.

Hulumtimet e reja tregojnë se një çrregullim i gjumit mund të shkaktojë një episod migrene dhe të jetë një pararendës i sëmundjes së migrenës. Hulumtimet kanë lidhur çrregullimet e gjumit si pagjumësia dhe cilësia e dobët e gjumit me dhimbje koke më të shpeshta dhe intensive. Kohëzgjatja e dhimbjes së kokës gjithashtu mund të ndryshojë ndjeshëm. Pagjumësia mund të trajtohet në mënyra të ndryshme. Hapi i parë është të flisni me mjekun tuaj për këtë. Trajtimi i pagjumësisë mund të përfshijë mjekim dhe psikoterapi.

Hulumtimet tregojnë se çrregullimet e humorit dhe episodet e migrenës shpesh ndodhin së bashku dhe prania e njërës tregon një rrezik më të madh. Studimet shkencore kanë arritur në përfundimin se pacientët me migrenë kanë 2.5 herë më shumë gjasa të jenë në depresion sesa njerëzit pa migrenë dhe dy deri në pesë herë më shumë gjasa për të zhvilluar çrregullime ankthi. Çrregullime të ndryshme të shëndetit mendor gjithashtu mund të çojnë në pagjumësi, e cila mund të rrisë më tej rrezikun e dhimbjeve të kokës në mëngjes.

Gjumi i shqetësuar i shkaktuar nga gërhitja mund të jetë gjithashtu burimi i dhimbjeve të kokës herët në mëngjes. Dhimbjet e kokës në orët e hershme të mëngjesit mund të jenë rezultat i tendosjes së muskujve në qafë. Jastëkët duhet t’ju ndihmojnë të mbani një pozicion gjumi që mbështet siç duhet qafën dhe shtyllën kurrizore. Jastëku duhet të mbështesë kokën dhe qafën tuaj në një pozicion të ngjashëm me atë kur jeni në këmbë. Dhimbjet e kokës në orët e para të mëngjesit mund të jenë pasojë edhe e keqpërdorimit të alkoolit.

Medikamentet mund të prishin modelet e gjumit, duke çuar në shqetësime të gjumit dhe dhimbje koke herët në mëngjes. Disa medikamente, të tilla si benzodiazepinat, të përdorura për trajtimin e çrregullimeve të gjumit mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë dhimbjen e kokës. Dhimbja e kokës për shkak të përdorimit të tepërt të ilaçeve kundër dhimbjeve është gjithashtu shkaktar i kësaj lloj dhimbje koke. Nëse merrni qetësues shumë shpesh për të lehtësuar dhimbjen e kokës, rrezikoni ta përkeqësoni dhimbjen e kokës.

Gjumi i tepërt mund të jetë gjithashtu një aryse për dhimbje koke në mëngjes. Kjo mendohet se rrjedh nga ndërprerjet në ritmin natyror cirkadian dhe rrugët nervore në tru. Mënyra më e mirë për të shmangur dhimbjet e kokës në mëngjes të shkaktuara nga gjumi i tepërt është të rivendosni ciklin tuaj natyral gjumë-zgjim duke shkuar në shtrat në të njëjtën kohë çdo natë dhe duke u ngritur pak a shumë në të njëjtën kohë në shumicën e ditëve të javës.

Top Channel