Luajti i dëmtuar në Botëror, Guardiola humbet për një muaj titullarin portugez

23/12/2022 10:44

Telashe në horizont për Manchester City teksa mbrojtësi Ruben Dias pritet të mungojë për një muaj dhe mund të humbasë deri në pesë ndeshje për The Citizens, mes tyre edhe përballjet e rëndësishme ndaj Chesleat e mbi të gjitha derbin e 14 janarit ndaj rivalëve të Manchester United.

25-vjeçari pësoi një dëmtim në kofshë gjatë ndeshjes së Portugalisë në fazën e 1/8-tave me Zvicrën në Botërorin e Katarit, megjithatë vijoi të luante edhe pse me probleme. E njëjta situatë u përsërit edhe në sfidën me Marokun teksa Dias preferoi të sakrifikonte për kombëtaren duke qëndruar për 90 minuta në fushë.

Diçka e tillë duket se i ka kushtuar shtrenjtë luzitanit teksa trajneri Pep Guardiola njoftoi se Dias nuk është rikthyer në stërvitje ndërsa tekniku spanjoll pritet t’i besojë tashmë më shumë minuta edhe të riut Rico Lewis me 18-vjeçarin që dha sinjale tejet pozitive në ndeshjen ndaj Liverpool.

Top Channel