Pelerina e veshur gjatë ceremonisë, Messi dhe Infantino shkelën rregullat e FIFA-s

20/12/2022 08:32

Lionel Messi fitoi trofeun e shumëdëshiruar të Kupës së Botës teksa në finalen e Katarit, kombëtarja albicelste kaloi me sukses Francën.

Festa ishte e jashtëzakonshme për lojtarët amerikano-latinë teksa triumfi në Botëror iu mungonte prej 36-vitesh.

Shumë emocionues ishte edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut te kapiteni Messi, i cili udhëhoqi Argjentinën në gjithë rrugëtimin e saj në Katar. Por, teksa Messi përgatitej të ngrinte në qiell Kupën, Emiri i Katarit i vendosi mbi supe një pelerinë e cila lidhej me traditat e Katarit. Në fakt, të shumtë ishin ata që e kontestuan këtë veprim pasi pelerina mbuloi fanellën e Argjentinës, ndërsa së fundmi bëhet e ditur se Messi por edhe Gianni Infantino që ishte prezent në ceremoni, injoruan rregullat e FIFA-s.

Në nenin 27, paragrafi 2 i rregullores së FIFA-s përcaktohet qartë se një lojtar gjatë finaleve që organizohen nga FIFA, veshjet festive ndryshe nga uniforma zyrtare, mund t’i përdorë vetëm pas ceremonisë së dorëzimit të trofeut, pas përfundimit të fotove zyrtare si dhe pasi të kenë përfunduar intervistat zyrtare. Pra, ndryshe nga sa bëri Messi që pelerinën e veshi para se të dorëzohej trofeu, teksa në këtë rast edhe numri një i FIFA-s, Gianni Infantino vendosi të mbyllë një sy.

Top Channel