Provokoi Van Gaal, FIFA nis hetim për Messin dhe Paredes

11/12/2022 08:18

Ndeshja mes Holandës dhe Argjentinës e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Botës Katar 2022, u karakterizua nga një tension i lartë sidomos pas momentit kur shifrat ishin të barabarta 2-2.

Nga protagonistët ishte Leandro Paredes dhe Lionel Messi. Sa i takon të parit, ishte pikërisht shkaktari i tensionit në fushë pasi goditi me forcë një top drejt pankinës holandeze në momentin që loja ishte e ndërprerë. Kjo bëri që “tulipanët” e mbi të gjithë Van Dijk të reagonin ashpër ndërsa Paredes u ndëshkua me karton të verdhë.

Ndërkohë, episodi ku u përfshi Messi mbërriti pasi Argjentina triumfoi nga penalltitë me sulmuesin që shkoi dhe të ngacmonte trajnerin Louis Van Gaal, duke i thënë se ai nuk ka ide për futbollin por thjesht e bën skuadrën të luaj me topa të gjatë.

Në lidhje me të dyja rastet, FIFA ka nisur një hetim me Komisionin e Disiplinës që do t’i shqyrtojë në imtësi këto momente dhe më pas do të dalë me një vendim dhe mbetet për t’u parë nëse Messi dhe Paredes do të dënohen, ku nuk përjashtohet edhe një skualifikim për në gjysmëfinalen ndaj Kroacisë.

Top Channel