Polici i Kosovës i plagosur në veri, jashtë rrezikut për jetën
09/12/2022 09:34
Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, ka konfirmuar se polici i plagosur më mbrëmë në veri të Mitrovicës, është jashtë rrezikut për jetën.
Ajo ka thënë se zyrtari policor është plagosur në shpatull, dhe tani do të transferohet në Prishtinë për t’iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas Policisë së Kosovës, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.
Ky institucion ka thënë se njësitë që kanë qenë në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”./Rel
Top Channel