Dy prokurorë të SPAK janë kallëzuar këtë të premte nga gazetari Adriatik Doçi, që pretendon se kanë fshehur provat në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Padinë, gazetari e ka dorëzuar pranë SPAK, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, pranë KLGJ dhe pranë ILDKP-së. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion, Doçi shpjegoi për mediat kush janë dy prokurorët dhe cilat janë provat që ka siguruar nga investigimet e tij.
“Denoncoj fshehjen e disa provave flagrante nga dy prokurorë të SPAK-ut të çështjes së inceneratorit të Elbasanit, për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të përfshirë në këtë çështje.
Janë disa prova që ngrenë dyshime për implikim në korrupsion, të cilat janë mënjanuar dhe fshehur gjatë hetimit dhe nuk janë përfshirë në dosjen përfundimtare që do të referohet në gjykatë si dhe nuk janë marrë në pyetje zyrtarë të përfshirë. Konkretisht, dy prokurorët e çështjes janë Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho”.
Çfarë provash ka siguruar gazetari?
“Gjatë zbërthimit të kompjuterëve të Klodian Zotos, janë gjetur pagesa që Zoto i ka bërë ish-ministrit të Financave, i cili ka ka shëtitur të tëra hotelet e Europës. Pagesat për të gjitha këto pushime verore dhe dimërore nuk janë deklaruar nga Arben Ahmetaj në ILDKP si dhe nuk janë administruar si prova nga dy prokurorët për t’i bashkuar në fashikullin hetimor.
Kam kallëzuar dy prokurorët për veprime dhe mos veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe për shpërdorim detyre”.
Doçi thotë se ka kallëzuar dhe ish-ministrin Arben Ahmetaj për implikim në korrupsion aktiv dhe pasiv. I pyetur nga kolegia Anila Hoxha se si i ka siguruar provat, ai përgjigjet:
“Nga burimet e mia, të dhënat duhet të ishin pjesë e dosjes së inceneratorit, por çuditërisht nuk u përfshinë. Pagesa nga karta e Klodian Zotos për pushime në hotele luksoze për Ahmetajn, për pushime në hotele deri në dy mijë euro nata.
Bëhet fjalë për periudhën para dhe pas finalizimit të procedurës koncesionare për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit, kur Arben Ahmetaj ka qenë ministër Ekonomie. Bëhet fjalë konkretisht për periudhën 2014 deri më 2018”.
Por, sa prova ka në dorë Doçi? Ai përmend disa mesazhe në celularin e administratorit të kompanisë “Alb tek energy”, Klodian Zoton:
“Unë këtu kam disa pagesa që janë gjetur në telefonin e Klodian Zotos dhe në tre kompjuterat e tij dhe janë 5-6 pagesa, në vijim do të kemi edhe prova të tjera, për pagesa të tjera që Klodian Zoto ka bërë për Arben Ahmetajn, duke I mbuluar gjithnjë shpenzimet, Arben Ahmetajt dhe familjarëve të tij”.
Ai thotë se do të njoftojë dhe ambasadat “që të kuptojnë se ky veprim i prokurorëve cenon besimin e publikut mbi SPAK dhe reformën në drejtësi në përgjithësi”.
Doçi foli specifikisht për ish-ministrin Ahmetaj, por a ka zyrtarë të tjerë në lidhje me inceneratorët që janë pjesë e aferës?
“Unë kam investiguar dhe kam zbuluar deri më tani ish ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj i cili ka firmosur për çështjen e inceneratorëve, por në vijim duke parë e duke shfletuar provat e tjera që unë mund të marr nga dosja, mund të dalin edhe zyrtarë të tjerë”.
Nga hetimet e SPAK për inceneratorin e Elbasanit, në qeli ka përfunduar ish-deputeti Alqi Bllako, për të cilin janë gjetur prova që e implikojnë atë në korrupsion të zyrtarëve të lartë.
Alqi Bllako ka shkëmbyer e-maile nga adresa e tij private me administratorin e kompanisë “Alb tek energy”, Klodian Zoton duke e informuar mbi procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit. Referuar dosjes ai i përcillte Zotos, e-mailet e zyrtarëve të ministrisë së mjedisit mbi procedurat që duhet të ndiqte për të fituar të drejtën e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.
Top Channel