Protesta e opozitës nisi me një sulm fizik ndaj Sali Berishës.
Incidenti bëri që marshimi i Berishës dhe Metës të ndalte për pak çaste, por nuk ndali protestën.
Agresori u identifikua si Gert Shehu, por për drejtuesit e opozitës, autori i vërtetë është dikush tjetër.
“I themi policisë lirojeni fatkeqin, autori i vërtetë është Rama i ulur në samit si krykriminel i Ballkanit dhe Europës.”- tha Berisha.
Berisha zgjodhi të kontrollojë çdo fjalë që thoshte pas sulmit duke iu përmbajtur tekstit të përgatitur me letër. Tonet kërcënuese Berisha ia la aleatit. Ilir Meta i cili kërkoi që në protestën e radhës opozita të lëre fjalët dhe të tregoj muskujt.
“Koha e fjalëve dhe fjalimeve duhet t’I lërë vendin kohës së veprimeve të organizuara për t’i treguar vendin pjellës më bastarde të kësaj toke. Të gjithë me poezinë e Havzi Nelës: Liri a vdekje për t’i treguar vendin këtij regjimi mafioz.” tha Meta
Kufiri i sigurisë ku zhvillonin samitin liderët e Bashkimit Europian nuk u cënua. Mesazhin e dytë Berisha e kishte për ta.
“Në Shqipëri në pushtet është mafia. Rama iu shet samitet si e sotmja si mbështetje ndaj tij. Po takove Ramën kontrollo xhepat se ai te ka lënë diçka në xhep ose të ka marrë.”- tha Berisha.
Protestën zgjodhi ta mbylle aty ku e nisi. Shmangu lëvizjen me automjet edhe pse truprojat për hir të sigurisë së tij këmbëngulën për të kundërtën.
Për protestuesit që i ftoi në oborrin e selisë kishte vetëm një përqafim para se ti përcillte . Gazetarët i ftoi brenda për ti dhënë detaje që kishte mbi agresorin që e qëlloi me grusht.
“Gert Shehu është agjent i policisë kriminale. Fakti që Fuga shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të dëshmon se gjithcka ishte e përgatitur.”-tha Berisha .
Top Channel