Foto/ Vizita e Berishës në Teksas, lideri i PD-së ndan momentet e takimit me disa figura politike në SHBA

10/09/2026 17:24

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nderuar me “Çelësin e Qytetit” të Mesquite, në Teksas, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vlerësimi iu dorëzua Berishës nga kryebashkiaku i Mesquite, Daniel Aleman Jr., i cili gjatë ceremonisë e cilësoi “Çelësin e Qytetit” si nderimin më të lartë qytetar që bashkia mund t’i akordojë një personi.

Sipas kryebashkiakut Aleman, ky vlerësim shpreh respektin dhe besimin ndaj Berishës, si dhe marrëdhëniet e veçanta mes komunitetit të Mesquite dhe shqiptarëve.

Në kuadër të vizitës në SHBA, Berisha ka publikuar në rrjetet sociale edhe disa fotografi nga takimet e zhvilluara me figura të njohura të politikës amerikane.

Në një prej fotove, Berisha shfaqet së bashku me Ed Martin, përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, i ngarkuar nga administrata Trump me çështje që lidhen me luftën kundër përdorimit të drejtësisë si armë politike. Në takim ishte edhe Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane të Shqipërisë.

Berisha ka publikuar gjithashtu një fotografi me Ken Paxton, Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit dhe kandidat republikan për Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Një tjetër takim i publikuar është ai me kongresmenin amerikan Pete Sessions, ku Berisha shfaqet sërish së bashku me Ed Martin.

Kryedemokrati ka ndarë me ndjekësit edhe një fotografi me Joe Gruters, kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan të SHBA-së (RNC).

Berisha ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA, ndërsa gjatë kësaj vizite ka zhvilluar një sërë takimesh me figura politike amerikane dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA.

Top Channel