“Pas Iranit, armiku më i madh që ka Amerika është e majta radikale”, Trump reagon ashpër në Truth Social për opozitën në SHBA
Shanquella Robinson vdiq gjatë pushimeve të saj në Meksikë ndërsa një video është bërë virale në rrjet ku ajo shihet duke u goditur, nga një tjetër grua, në dukje amerikane.
Tashmë SHBA po merr në konsideratë kërkesën e ekstradimit nga Meksika për gruan e akuzuar se ka vrarë një tjetër amerikane siç është parë në videon virale në rrjet.
Prokurorët meksikanë të Baja California nuk kanë emëruar të dyshuarën për vrasjen e Shanquella Robinson, e cila raportohet se vdiq nga plagë në qafë dhe në shtyllën kurrizore teksa ishte me pushime në Meksikë më 29 tetor.
Vdekja e Robinson nxiti intrigë masive në rrjetet sociale pas videos ku afro-amerikania rrihej brutalisht nga një tjetër afro-amerikane.
Miqtë e Robinson thanë pas kthimit se ajo vdiq nga helmimi prej alkoolit, por në çertifikatën e vdekjes të publikuar nga rrjeti WBTV, thuhej se shkaku i vdekjes ishin “plagë të rënda në shtyllën kurrizore dhe në qafë”.
Prokurorët thanë se vdekja kishte ardhur nga “një sulm i drejtpërdrejtë dhe jo nga një aksident” dhe se përfshinte një mike femër të viktimës.
Rrjeti CNN raportonte se prokurorët meksikanë kanë kërkuar ekstradimin e të dyshuarës në Meksikë.
Vdekja e Robinson ka shokuar njerëzit në të dy vendet. 25 vjeçarja kishte ardhur në rezortin San Jose del Cabo më 28 tetor me shokë të universitetit, tha babai i saj për CNN.
Nëna e Robinson Salamondra Robinson, tha për rrjetin CBS News se miqtë i kishin thënë se e bija kishte vdekur nga helmimi prej alkoolit, por pas publikimit të videos këtë muaj u ngritën dyshimet se ajo kishte vdekur në duart e njerëzve me të cilët kishte ardhur atje.
Video tregon Robinson duke u goditur në kokë e duke u përplasur përtokë, ndërsa sulmuesja i thoshte: “Jepi, nuk më lufton dot?” Ndërsa një burrë që ishte prezent nuk ndërhynte në sulmin e rëndë.
Salamondra Robinson konfirmoi se në video është bija e saj dhe se burri në pamje “supozohej të ishte shoku i saj i ngushtë”.
Prokurori i Baja California Sur, Daniel de la Rosa Anaya, tha se vdekja nuk ka ardhur nga “një sherr” por nga agresioni direkt i këtij personi.
Top Channel