NATO e konfirmon: Shpërthimi në Poloni u shkaktua nga raketa e mbrojtjes ajrore të Ukrainës

16/11/2022 13:04

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Këto deklarata Stoltenberg i bëri në konferencën për shtyp pas takimit urgjent të vendeve anëtare të mërkurën, në Bruksel, pasi dy persona u vranë në Poloni nga një raketë që Varshava tha se ishte e prodhuar nga Rusia.

“Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia e mban përgjegjësinë përfundimtare pasi që po e vazhdon luftën e saj të jashtëligjshme kundër Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu shtoi se nuk ka indikacione që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s dhe se ataduhet të rrinë “vigjilentë, të qetë dhe të koordinuar ngushtë”, pasi që “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e NATO-s”.

Mbledhja e ambasadorëve të NATO-s në Bruksel u thirr me kërkesë të Polonisë, anëtare e aleancës, dhe kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili do të mbajë më pas një konferencë shtypi.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dy diplomatë evropianë, tha se takimi mbahet në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s.

Sipas këtij neni, vendet anëtare mund të ngrenë shqetësimin kur ndiejnë se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre” janë në rrezik.

Ministria e Jashtme polake tha se një raketë e prodhuar nga Rusia ra në fshatin Przewodow, një fshat në Poloninë lindore rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona më 15 nëntor, pas një dite granatimesh masive ruse të Ukrainës.

Rusia mohoi se raketat e saj kishin goditur territorin polak, duke thënë se raportet ishin “një provokim i qëllimshëm” për të përshkallëzuar situatën.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 16 nëntor se sulmet e saj në Ukrainë në një ditë më parë ishin jo më afër se 35 kilometra nga kufiri polak, njoftoi agjencia e lajmeve RIA.

Biden tha më 16 nëntor se nuk kishte gjasa që raketa të ishte lëshuar nga Rusia, duke cituar informacione në lidhje me trajektoren e predhës.

Polonia e vendosi ushtrinë e saj në gjendje gatishmërie të shtuar, pas takimit urgjent që mbajti Këshilli i saj i Sigurisë Kombëtare./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA