Policia kanadeze akuzon punonjësin e shërbimeve publike për spiunazh në Kinë

15/11/2022 13:03

Policia kanadeze ka akuzuar dhe arrestuar një punonjës të shërbimeve publike në Hydro-Quebec për spiunazh në Kinë.

Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) arrestoi 35-vjeçarin Yuesheng Wang për akuzat e spiunazhit.

Në deklaratë thuhet se i arrestuari ka marrë sekrete tregtare për të përfituar Republikën Popullore të Kinës, në dëm të interesave ekonomike të Kanadasë.

Ai do të paraqitet në gjykatë në Longueuil të Quebec për t’u përballur me katër akuza penale: marrjen e sekreteve tregtare, përdorim të paautorizuar të një kompjuteri, shkelje të besimit nga një zyrtar publik dhe mashtrim për marrjen e sekreteve tregtare.

Krimet dyshohet se kanë ndodhur midis shkurtit 2018 dhe tetorit 2022, pasi 35-vjeçari përdori pozicionin e tij në Hydro-Quebec për të kryer kërkime për institucionet kineze.

“Mekanizmat tanë të zbulimit dhe të ndërhyrjes lejuan hetuesit tanë që ta sjellin këtë çështje në vëmendjen e RCMP-së, me të cilën kemi punuar ngushtë që atëherë“, tha një zyrtar i sigurisë në Hydro-Quebec.

Kompania e shërbimeve publike merret me prodhimin, transmetimin dhe ruajtjen e energjisë elektrike për provincën kanadeze dhe eksporton energji në disa pjesë të SHBA-së.

“Hydro-Quebec konsiderohet një infrastrukturë kritike dhe një interes strategjik për t’u mbrojtur“, thanë hetuesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA