Në mbyllje të turit të takimeve në Njësinë 9, kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputetja e zonës, Ogerta Manastirliu, vlerësoi me certifikata mirënjohje emra të njohur, që me punën e tyre i kanë shërbyer komunitetit.
Teksa shprehu mirënjohjen për kontributin e këtyre personaliteteve në jetën e vendit, Veliaj apeloi për rikthimin e vlerave të vërteta të shoqërisë, për të lënë pas frymën e përçarjes dhe urrejtjes, si mënyra e duhur për të ecur përpara e për t’u bërë ballë sfidave.
“Sot donim të kishim edhe një moment reflektimi dhe mirënjohje, që ndoshta na kthen te parimet bazë që e kanë mbajtur shoqërinë tonë edhe në ditët e vështira: respekti reciprok për njëri-tjetrin dhe fakti se asnjë prej nesh nuk ia del dot vetëm nëse nuk ndihmohet nga tjetri. Unë e di që ka shumë njerëz në këtë qytet që investohen në përçarje, në helm, në një gjuhë urrejtjeje ndaj njëri-tjetrit. Ata besojnë se përça e sundo është mënyra për të ecur përpara. Unë besoj se mënyra për të ecur përpara është puno dhe bashko. Më vjen keq që ka ende njerëz me ambicie për politikë, që në Tiranën e vitit 2022, thonë ‘Unë nuk jam i ardhur në Tiranë’. Ky është një qytet ku ka pasur histori suksesi edhe tepelenasi, edhe skraparlliu, edhe kuksiani, edhe gjirokastriti. Për sa kohë që pjesa e shëndoshë e shoqërisë investohet në bashkim dhe jo në përçarje, unë besoj se ditët më të mira ky qytet i ka përpara”, u shpreh Veliaj.
Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se promovimi i këtyre vlerave dhe njerëzve, që me punën e tyre kanë ndërtuar Shqipërinë, shërben edhe si një model i mirë për të ardhmen.
“Janë model për fëmijët tanë sepse duhet ta pranojmë se, nëse ne nuk vlerësojmë njerëzit e punës, njerëzit të cilët kanë kontribuar për vendin, të cilët me punën e tyre, nëpërmjet punës së tyre, nëpërmjet shembullit të tyre, kanë ndërtuar Shqipërinë, kanë kontribuar në sektorë të ndryshëm të vendit, asnjëherë nuk do të mundemi të mësojmë më shumë, për të ecur më shumë përpara”, nënvizoi Manastirliu.
Luan Zhegu, Pirro Milkani, Era Rusi, Delinda Disha, Sherif Lushaj, Elisabeta Gjoligu, Jetmira Dusha ishin disa nga personalitetet që u nderuan me certifkatë mirënjohjeje.
Top Channel